Pritje madhështore për Partinë Mundësia në Londër, ku shqiptarët në Angli e kanë pritur me mjaft interes takimin me kreun e kësaj partie, Agron Shehajn.
Në një sallë të mbushur plot, Shehaj ka mbajtur fjalën e tij para qytetarëve shqiptarë, ku është shprehur se ka ardhur koha që Shqipëria të shkëputet nga e kaluara dhe nga të njëjtët politikanë që e kanë vjedhur për më shumë se 30 vite.
Ai tha se vota ër Partinë Mundësia do të jetë vota më me vlerë që shqiptarët mund të japin, pasi deputetët e kësaj partie do të jenë ata që do të përfaqësojnë interesin e shqiptarëve në Parlamentin e Shqipërisë, dhe asnjë votë e tyre nuk do shkojë kundër Drejtësisë.
Pjesë nga fjala e Agron Shehaj:
Unë e di se çfarë do të thotë të largohesh nga vendi yt me shpresën se përtej detit ka një jetë më të mirë. Secili prej nesh e mban mend ditën e parë të emigrimit. Ajo që na bashkon është arsyeja pse erdhëm. Nuk u dorëzuam para së keqes, morëm fatin në duart tona, kërkuam një jetë më të mirë dhe ia dolëm.
Kjo është historia e miliona shqiptarëve nëpër botë dhe për këtë ne duhet të jemi krenarë. Tregojuni historinë tuaj fëmijëve tuaj, nipërve tuaj. Tregojini për mallin që ju dogji zemrat. Ata mbase nuk do t’ju kuptojnë plotësisht, por mos u dorëzoni sepse është historia që ju duhet të jeni krenarë.
Ja ku jemi sot, 33 vite pas rënies së diktaturës dhe tragjedia vazhdon. Shqiptarët po ikin sepse shteti i tyre i ka lënë në baltë. Ky shtet i shërben një pakice të vogël. Shqipëria që latë ju është e njëjta me atë që është sot.
Jam këtu sot për t’ju thënë se ne mund ta ndryshojmë këtë realitet. Është momenti për t’u zgjuar. Kanë 30 vite që na vjedhin. Ka ardhur momenti të shkëputemi nga e kaluara. Ka ardhur momenti të kuptojmë se edhe ne kemi gabuar.
Sot dëgjojmë politikanët e vjetër të flasin për shtetin si zgjidhje e çdo problemi. Shteti sipas tyre do ulë çmimet, do rrisë rrogat. Por kjo nuk është e vërtetë, është mashtrim. Politikanë të korruptuar, të paaftë e të paditur. Njerëz që nuk dinë se çfarë është puna, që s’kanë punuar asnjë ditë, kanë hyrë në politikë me xhepat bosh e sot janë të pasur sepse kanë vjedhur xhepat tuaj.
Vota për Partinë Mundësia është vota më me vlerë që ju mund të jepni. Nuk duhet të gënjehemi, nuk duhet të na mashtrojnë më. Duhet të zgjohemi, po na vjedhin. Mos u besoni, po ju gënjejnë. Partia Mundësia në zgjedhjet e ardhshme do bëjë historinë.
Për herë të parë në Parlament do shkojë një grup deputetësh pa mbështetjen askujt partie të vjetër dhe do përfaqësojë interesin tuaj në Parlamentin e Shqipërisë si asnjëherë më përpara.
Ne duam një Shqipëri me më pak administratë, me më pak taksa, me më shumë para’ në hepat tuaj. Për një gjë të jeni të sigurt, asnjë votë e Partisë Mundësia s’ka për të shkuar kundër drejtësisë.
Ne duam t’u heqim shqiptarëve shtetin nga kurrizi. Ne nuk besojmë në një shtet që dëmton qytetarët dhe shpërblen miqtë e pushtetit. Koha e tyre ka mbaruar, koha jonë po vjen dhe ne do fitojmë sepse kemi një vizion të qartë.
Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë kundër Edi Ramës dhe për largimin e tij. Votat tona nuk kanë për të shkuar kurrë kundër drejtësisë, nuk kanë për të shkuar kurrë në favor të korrupsionit, kurrë në favor të një administrate të korruptuar.
Për ne është kusht i domosdoshëm që shteti shqiptar të mos fusë më duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë.
