Prishja e banesave në Durrës për TID, Kapri: Po bëhen selektime, një pronë me vlerë tregu 400 mijë euro po vlerësohet 10 herë më pak

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri është ndalur sot në Kuvend te problemi i dhjetëra familjeve në Durrës, banesat e të cilëve do të shemben si pasojë e projektit TID.

Kapri ju drejtua Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe duke i sjell një shembull, se si vila e familjes Kazazi, që preket nga projekti dhe që ka nje vlerë tregu 400 mijë euro, do të vlerësohet me vetëm 40 mijë euro, 10 herë më pak.

Ndërkohë Kapri tha po ashtu se askush nuk është kundër rivitalizimit të Durrësit, por po bëhen selektime sa u takon banesave që do të prishen. Ai solli si shembull nje vilë që është ngjitur me atë të familjes Kazazi, e cila nuk do të prishet ndërsa nuk dihet se kush është blerësi.

Deputeti Kapri shtoi se po shkohet përtej këtij projekti pasi po bëhet një hapje hapësire që të lidhet me ndërtimet e Alabbarit, të marrin vlerë ato dhe jo banorët e Durrësit

“Po të jap një rast, familja Kazazi që ka një vilë që do shëmbet që me vlerë tregu është të paktën 400 mijë euro, ju do e vlerësoni me 40 mijë euro, 10 herë më pak.

Vila ngjitur me familjen Kazazi nuk preket. Atë e ka blerë dikush tjetër, që nuk dihet se kush e ka blerë dhe hapet hapësira për vliën që e ka blerë një tjetër.

Pra që në 70 pronat që prishen në Durrës ka selektivitet, kjo nuk ka pikë dyshimi. Problemi është se nuk jemi kundër zhvillimit dhe rivitalizimit historik të Durrësit, por problemi është të jesh banor autokton po kthehet në një lloj mallkimi. Nuk mund të talleni me pronën kështu.

Ju po shkoni përtej rivitalizimit, po bëhet një hapje hapësire që të lidhet me ndërtimet e Alabbarit, të marrin vlerë ato, jo banorët e Durrësit.

I prishni me një të rënë të lapsit. Përse keni kaluar përtej amfiteatrit dhe çfarë është me e rëndë sjellja juaj me pronën. Prona është e shtenjte. Nuk është njëri kundër zhvillimit këtu. Po familja Kazazi thotë si do ma shembësh këtë vilë që ma kanë kërkuan 400 mijë euro, për 40 mijë euro?”- u shpreh Kapri.