Prezantimi i kandidatëve të ‘Mundësia’/ Shehaj në Korçë: Nxjerrim mandat, vota jonë nuk preket  

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, zhvilloi një takim me kandidatët dhe në Korçë, ku prezantoi kandidatët e kësaj force politike për qarkun.

Në një prononcim për mediat, Shehaj u shpreh se objektivi kryesor i partisë është të sjellë një alternativë të re për qytetarët, duke u fokusuar në ndryshimin real dhe jo thjesht në një rotacion politik mes forcave tradicionale.

“Ky është një projekt politik afatgjatë, që synon të japë një alternativë që të sjellë ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin politik në Shqipëri. Ne synojmë, sipas sondazheve të kompanive të huaja, të na japin mesatarisht 10% të votave në rang kombëtar. Kjo mund të përkthehet në një mandat në qarqet ku ka më shumë se 10 deputetë dhe në Tiranë sigurisht se ka më shumë mandate atje. Ne do të luftojmë gjithandej për t’u paraqitur qytetarëve shqiptarë alternativën tonë, kandidatët tanë si p.sh. Ilirjani këtu që është një qytetar i thjeshtë që ka vendosur t’ia dalë me punë të ndershme dhe jo me pazare apo duke shfrytëzuar lidhjet politike”.

Duke iu referuar sondazheve të kompanive të huaja, Agron Shehaj deklaroi se Partia Mundësia parashikohet të marrë mesatarisht 10% të votave në rang kombëtar. Kjo përkthehet në disa mandate në qarqet me më shumë se 10 deputetë.

Shehaj u shpreh konfident se anëtarësia e partisë do ta mbrojë votën e qytetarëve dhe do të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.

“Meqë po më pyet se kush do ta mbrojë votën, këtu kemi një pjesë të anëtarësisë së Partisë Mundësia që unë të garantoj që do ta mbrojnë votën e qytetarëve shqiptarë”.

I bindur se Partia Mundësia do të nxjerrë deputet në Qarkun e Korçës, Shehaj prezantoi Ilirian Agollin, të parin e listës në Korçë, si deputetin e ardhshëm të Partisë Mundësia. Sipas tij, Agolli përfaqëson modelin e ri të politikanëve që janë shembulli që i duhet dhënë vendit. 

“Hajde të të prezantoj deputetin e ardhshëm të Partisë Mundësia. Ilirian Agolli është deputeti i ardhshëm i Partisë Mundësia i Qarkut të Korçës. Nuk ka djalë më të mirë dhe që mund të përfaqësojë më mirë qytetarët korçarë në parlamentin e ardhshëm. Është shembulli që duhet të japim në Shqipëri”.

Me takime në Tiranë, Lezhë, Shkodër dhe Korçë në dy ditë, Partia Mundësia duket se I ka ndezur plotësisht motorrët e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Partia Mundësia futet për herë të parë në zgjedhje dhe futet e vetme, jo në koalicion.