Presidenca “pushtohet” nga minjtë, Bajram Begaj firmos 4 milionë lekë tender për kurthe dhe ngjitëse kundër tyre

Minjtë duket se po krijojnë probleme në godinën e Presidencës në këto ditë të nxehta vere. Për këtë arsye, institucioni i Presidencës ka hapur ditë më parë një tender me vlerë mbi 4 milionë lekë të vjetra për dezinfektim, deratizim dhe dezinsektim të godinës dhe ambienteve përreth.

Procedura është mbyllur dhe fitues është shpallur subjekti Klodjan Trimi në 21 Gusht, me vlerë 346.000 lekë të reja.

Në kërkesat e institucionit, vihet re se janë kërkuar 40 kurthe për minjtë dhe 40 ngjitëse kundër tyre, ndërkohë që sipas dokumenteve, shërbimi duhet të jetë kryer disa ditë më parë, pasi kërkohej që ky shërbim të kryhej dy ditë pas shpalljes.

Në dokumentet e tenderit thuhet se të gjitha preparatet/pajisjet që do të përdoren për kryerjen e këtij shërbimi duhet të jenë:

Me etiketat/skedat përkatëse të prodhuara në një nga vendet e BE (nuk do të pranohen dhe do të kthehen të gjitha preparatet që janë pa etiketa apo jashtë afatit të skadencës);

Konform listës së Ministrisë së Shëndetësisë, Shtojca 1 (Urdhër Nr. 202 dt.23.05.2014), për lëndët biocide për Dezinfektim, Deratizim dhe Dezinsektim në shëndetin publik dhe lëndët kimike për trajtimin e ujit të pijshëm të lejuara për tregtim dhe përdorim në Republikën e Shqipërisë (përditësuar në Prill 2014 sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Rregullores 528/2012 të BE “Për produktet biocide”).

Konform ligjit Nr. 95/2015 “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik” si dhe ligjit Nr. 27/2016 “Për menaxhimin e kimikateve”.