“Pres të gjej babanë”, BE tregon historinë e vrasjes së inxhinjerit, apelon për gjetjen e të zhdukurve gjatë komunismit

Jovan Plaku e pa imazhin e babait të tij për herë të parë në një fotografi të fshehur në një gardërobë të kyçur. Ishte 6 vjeç, nuk e kishte takuar kurrë dhe në shtëpi nuk ia përmendnin emrin. Megjithatë, ai nuk e dinte pse. “I hoqa menteshat e derës së gardërobës duke përdorur një gozhdë. Gjeta foto të babait tim si dhëndër me nënën, diploma dhe një listë sendesh të sekuestruara, mes tyre, një çantë me grepa peshkimi. Kështu e mësova se kisha një baba, por jo fatin e tij”, kujton Jovan Plaku, djali i Koço Plakut, inxhinier i ekzekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1976, pas një procesi gjyqësor të njohur si “Grupi i naftës”, ku dy inxhinierë u dënuan me vdekje dhe gjashtë të tjerë me burgim. 

Jovani nuk i tregoi së ëmës për foton dhe vetëm pasi mësoi të lexonte dhe i rishikoi dokumentet në gardërobë, nisi të ëndërronte e të pyeste veten: “A mund ta takoj babanë, ku është, çfarë ka bërë, mos është i mërzitur me mua apo me nënën?” 

gdgdgds

EU IN ALBANIA

Ai vazhdoi të shpresonte se një ditë do ta takonte të atin, derisa ishte 9 apo 10 vjeç dhe shkoi në shtëpinë e një bashkëmoshatari për të luajtur. Babai i shokut e pyeti Jovaninnëse kishte ndonjë kujtim nga i ati. “Nuk dija si të përgjigjesha. Askush nuk e përmendte babanë, ndaj isha i befasuar dhe i pasigurt. Unë isha vetëm 9 muajsh kur u arrestua, ndaj nuk kisha kujtime dhe nuk dija madje, as çfarë pamjeje kishte derisa gjeta foton, kështu që nuk nxora asnjë fjalë. Ai më tha se nuk duhej të më vinte turp nga im atë, pasi ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Më tha se babanë e kishin vrarë për grepa peshkimi. Kështu mësova se babai nuk ishte gjallë”, thotë Jovani, duke kujtuar çastin kur nuk dinte nëse duhej të shpresonte më. 

ddhbd
Jovan Plaku

I akuzuar për “sabotim në sektorin e naftës” dhe “agjitacion e propagandë”, trupi i Koço Plakut nuk iu dha kurrë familjes së tij pas ekzekutimit. Ai dhe bashkëshortja u divorcuan pas arrestimit të tij, për të shmangur dënimin dhe internimin e gruas dhe djalit të tyre. Për shkak të divorcit, Jovani dhe nëna e tij nuk u informuan kurrë zyrtarisht për fatin e Koço Plakut. 

Deri në rënien e regjimit komunist, Jovani dhe e ëma kishin ende një shpresë të zbehtë se Koço Plaku ishte gjallë në ndonjë burg diku. Pastaj miqtë e babait të tij u liruan nga burgjet dhe nuk pati më vend për dyshim. Ai ndjeu se kishte një detyrë tjetër: gjetjen e eshtrave të të atit për t’i bërë një varrim të denjë. 

dgdgds

EU IN ALBANIA

“Fillova ta kërkoja babanë e zhdukur kur isha student. Kam bërë gjithçka që kam mundur: kam kërkuar nëpër arkiva, kam gjetur dosjen e tij, kam gjetur një regjistrim të zërit të tij në gjyq – të paktën i kam dëgjuar zërin – kam takuar njerëz që më kanë treguar për torturat, për procesin e marrjes në pyetje, kam takuar njerëz që kanë punuar për ish-Sigurimin e Shtetit, kam takuar edhe persona të skuadrës së pushkatimit, njerëz që kanë qenë të pranishëm në ekzekutime, njerëz që më kanë treguar zonën ku është ekzekutuar babai im. Kam qenë aty,pranë një zone ushtarake afër malit të Dajtit në Tiranë në vitet ’90, kemi gërmuar por nuk e gjetëm dot”, tregon ai pothuajse i dëshpëruar pas 30 vitesh kërkim për të atin e zhdukur. 

I gjithë kërkimi i tij bazohej në një detaj që do ta identifikonte atë. “Babai im ishte një burrë i gjatë dhe këmbën e kishte numër 46 e gjysmë. Jo shumë njerëz e kanë këtë numërkëmbe. Në një nga gërmimet tona gjetëm disa këpucë, por asnjëra e kësaj mase”, kujton ai. 

Mijëra të zhdukur 

Koço Plaku është një ndër gati 6.000 personat e zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Nuk dihet numri i saktë, por organizatat vlerësojnë se janë rreth 6 mijë shtetas shqiptarë që janë ekzekutuar, kanë vdekur në burgje apo kampe pune,eshtrat e të cilëve nuk u janë dhënë kurrë familjeve të tyre dhe as nuk janë gjetur pas rënies së regjimit. Ata u varrosën në vende të panjohura, ndonjëherë në varre masive pa shenja që do të identifikonin praninë e një varri. 

Deri në vitin 2018, shumë familje kanë kërkuar privatisht eshtrat e të afërmve, madje disa kanë arritur t’i gjejnë. Mirëpo, mijëra të tjerë si Jovan Plaku nuk i kanë gjetur, me gjithë përpjekjet dhe kërkimet e tij 30-vjeçare në vende të ndryshme. 

Në vitin 2018, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi për të çuar përpara përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri midis 29 nëntorit 1944 dhe 2 korrikut 1991

dgsdgs
Luigj Ndou, Shefi i Marrëdhënieve me Qeverinë në ICMP,  Tiranë

“Shpresonim që procesi të ishte më i lehtë se në vendet e tjera sepse këtu nuk kishte luftë. Mandati i ICMP-së është të ndihmojë gjatë gjithë procesit për sa i përket dhënies së informacionit për vendndodhjet e mundshme të varrezave, zbulimit vizual të vendeve të tilla, gërmimit, ekzaminimit mjekoligjor të mbetjeve të gjetura njerëzore dhe testimit të ADN-së, por procesi duhet të udhëhiqet nga institucionet shqiptare dhe deri tani, ende nuk kemi marrë pjesë në asnjë gërmim në lidhje me viktimat e komunizmit në Shqipëri”, thotë Luigj Ndou, Shefi i Marrëdhënieve me Qeverinë në ICMP, Tiranë. 

Ai shpjegon se procesi është i ndërlikuar pasi ICMP mendon se çdo varrezë e pashënuar apo e paligjshme mund të jetë skenë krimi, “pra, organet e drejtësisë janë ato që duhet të japin urdhrin për kryerjen e zhvarrimeve. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur, nuk ka asnjë proces ligjor për rikuperimin e personave të zhdukur dhe me gjithë vullnetin e mirë, jo vetëm të ICMP-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, aktualisht nuk ka asnjë proces të strukturuar për zgjidhjen e këtij problemi, që sipas nesh ështëjashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbyllur kapitullin e së shkuarës dhe për të parë nga e ardhmja”, thotë Luigj Ndou. 

Pas disa vitesh në Shqipëri dhe rekomandimeve për procesin, sipas tij, këtë vit do të bëhen përpjekje të tjera, duke tentuar marrjen pjesë në gërmime në gjashtë vendndodhje, ku Autoriteti Shqiptar për Informimin mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka kryer tashmë hetime administrative për varreza të mundshme të ish të burgosurve politikë. “Këtë vit, me mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ne do të mobilizojmë sistemin tonë të menaxhimit të të dhënave të identifikimit për të ndihmuar shtetin shqiptar të krijojë një bazë të dhënash unike ose një regjistër unik për të gjithë personat e zhdukur në Shqipëri, viktima të regjimit komunist. Gjithashtu planifikojmë të mbështesim përpjekjet e shoqërisë civile të përfshirë në përballjen me të kaluarën. Me përpjekje serioze, vullnet të mirëfilltë politik dhe veprime konkrete, besojmë se mund të identifikohet një numër i caktuar i këtyre personave”, thekson Ndou.  

Jovan Plaku ishte një nga të afërmit e parë të personave të zhdukur që dha mostrën e tij të ADN-së në rast se gjendeshin eshtrat. Babai i tij u akuzua për sabotim të kërkimeve të naftës, pasi një mik i solli grepa peshkimi nga Rusia. Tani, i biri ka të njëjtin pasion. “Ende shkoj për peshkim”, shton Jovani. Për të, babai ishte fillimisht një fotografi, më pas një zë në një regjistrim, ndërsa tani nevoja për ta nderuar. “Në kulturën tonë, nderimi i të vdekurve ka qenë i shenjtë, por tani pyes veten nëse ka qenë vërtet kështu”, thotë Jovan Plaku, një burrë i gjatë, ashtu si babai i tij.   

Informacion  

Që nga viti 2017, Bashkimi Evropian po e mbështet Shqipërinë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, duke fuqizuar kapacitetet teknike të Autoritetit tëDosjeve, prerogativat ndërgjegjësuese, si dhe duke rritur rolin e saj koordinues. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zbatuar dy projekte për një total prej rreth 1 milion Euro kontribute të BE-së. Në shkurt 2024, nisi një projekt i ri “Mbështetja e drejtësisë tranzitore dhe ballafaqimi me të kaluarën në Shqipëri” me ICMP-në, që synon të rrisë angazhimin e institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur si trashëgimi e së kaluarës dhe rritjen e kohezionit social në Shqipëri.