Preket Delta e Palasës/ Qeveria i fal 22 mijë metra katrorë të tjera tokë shtetërore kompanisë Gjikuria

Qeveria ka zyrtarizuar dhënien edhe të një sipërfaqe shtesë prej 22 mijë metrave katrorë tokë shtetërore falas në bregdetin e Palasës për kompaninë Gjikuria, me qëllim ndërtimin e hotelit White Roads. Në korrik të vitit 2022, përmes një vendimi të posaçëm qeveria i kishte dhënë 9 mijë metra katrorë tokë shtetërore kësaj kompanie për realizimin e projektit. Por në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin e vitit 2022 duke shtuar dhe 22 mijë metra katrorë të tjera në të njëjtin vendit.

“Në fund të pikës 1 shtohen fjalët “… si dhe të disa pronave të llojit “kullotë”, me sipërfaqe totale 21 979.4 (njëzet e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë pikë katër) m2, në të njëjtën vendndodhje, në zonën kadastrale nr. 1739, me numra pasurie 68/49, 68/50, 68/51/3, 68/119/1, dhe në zonën kadastrale nr. 2863, me numër pasurie 30/158, sipas aneksit 1/1 dhe dokumentacionit të pronësisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Në fakt vendimi për të shtuar sipërfaqen e tokës shtetërore që i falet kompanisë Gjikuria ishte marrë më parë në Komitetin e Investimeve Strategjike. Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka zyrtarizuar dorëzimin e sipërfaqes shtesë prej 22 mijë metrash. Kjo e çon në total sipërfaqen e tokës që kompania merr falas nga shteti nqë 3 hektarë ose 30 mijë metra katrorë.

Në zonën e Palasës kompania Gjikuria po realizon një resort turistik i konceptuar si një strukturë multidimensionale në tipologjitë e akomodimit dhe faciliteteve. Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi. Qeveria thotë se me shtesën e re të sipërfaqes investimi total i kompanisë do të rritet nga 10 milionë euro në 21.3 milionë euro.

Tokë në zonë të mbrojtur?

Në prill të vitit 2022, kush e shpalli investimin si strategjik, Komiteti i Investimeve Strategjike theksonte se projekti i hotelit shtrihet në afërsi të monumentit natyror Delta e Përroit të Palasës. “Duke qenë se zona e plazhit që ka kërkuar subjekti ka tjetër formë menaxhimi pasi ndodhet në kufi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”, masa mbështetëse e lejimit të përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit nuk mund të miratohet me vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave,” thuhej në vendim.

Por tashmë që shtohen dhe 22 mijë metra katrorë të tjera sipërfaqe, situata duket se ka ndryshuar. Në vendimin e qershorit të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike shkruan: “Duke qenë se sipërfaqja ku do te zhvillohet investimi ndodhet në afërsi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”, kategoria e III e zonave të mbrojtura, kërkohet që projekti i investimit:

1-Të mos prekë dhe cënojë MN “Delta e Përroit të Palasës”, por të zbatohen me kushtet e lejes mjedisore;
2-linjat elektrike, të ujësjellësit, të kanalizimeve dhe çdo linjë tjetër nuk duhet të shtrihen dhe prekin në sipërfaqen e Monumentit Natyror;
3-përgjatë kufirit me Monumentin, zhvilluesi të kryejë punime duke krijuar një brez të gjelbër miqësor me mjedisin (mbjellje pemësh e bordura me bare antieroziv);
4-punimet që do të kryhen në këtë zonë, do të monitorohen vazhdimisht nga AdZM-ja Vlorë duke bashkëpunuar me subjektin zhvillues.”

Ndërsa për përdorimin e brigjeve të detit dhe zonës përkatëse të plazhit, qeveria ja ka lënë topin në dorë Ministrisë së Turizmit.

“Duke qenë se koordinatat e përdorimit të bregut të detit që i referohen projektit, i përkasin formave të ndryshme të menaxhimit, autorizohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me institucionet kompetente të përcaktojë sipërfaqet e mundshme të cilat mund të vihen në dispozicion të këtij projekti investimi si dhe regjimin ligjor respektiv sipas formave të menaxhimit apo rregullime të tjera ligjore,” shkruhet në vendimin e ri.

Pra, qeveria duket se autorizon Ministrinë e Turizmit që të gjejë rrugët për të anashkaluar problemin e monumentit natyror për t’i dhënë kompanisë akses në brigjet e detit dhe zonën e plazhit. Kapitali.al