Naim Murseli, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademi nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore.
Ky është rezuktati pas ekzaminimit psikik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Kosovë. Në dokument thuhet se Murseli nuk ka ndonjë çrregullim mendor.
“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raport sipas mediave në Kosovë.
Në konstatimet e raportit thuhet se Murseli “është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”.
“Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshitë mbrojtësit, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin”, thuhet në raport.
Në dokument përshkruhet edhe statusi psikik i Murselit. Aty thuhet se ai është i vetëdijshëm, i orientuar në kohë dhe hapësirë dhe se pamja e jashtme i përgjigjet moshës së tij.
“I qetë në aspektin psikomotor. Bashkëpunues, i përgjigjet thirrjes për bisedë. Kontakti me sy vihet dhe mbahet. Kontakti verbal vihet dhe mbahet pa insistim. Rrjedha e të folurit normale pa ndryshime në të folur. Flet qartë dhe i përshkruan të gjitha ngjarjet në detaje. Nuk mungon spontaniteti”, thuhet në dokument.