Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 25 vite burg për Gjergj Cukalin, i akuzuar për atentatin me tritol ndaj biznesmenit Gjon Mena në Kamëz, 4 vite më parë.
Ndërkohë Enver Jamaku, i kthyer në të penduarin e drejtësisë, u dënua me 7 vite burg, nga 8 që kishte dhënë shkallë e parë.
Kujtojmë se më 9 shkurt 2021, në rrugën “Silvio Berluskoni” në Kamëz automjetit BMW të biznesmenit Mena iu vendos tritol, i cili pas shpërthimit shkaktoi vetëm dëme materiale. Për antentin ndaj Memës janë arrestuar Gjergj Cukali, 42 vjeç i njohur si i forti i “Myslym Shyrit, si edhe dy vëllezërit, Enver Jamaku, 33 vjeç, dhe Ermond Jamaku, 24 vjeç.
Cukali akuzohet si porositësi i këtij atentati të dështuar për eleminimin fizik të Menës, ndërsa dyshohet se ka paguar vëllezërit Enver dhe Edmond Jakimi për atentatin.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtare), më datë 09.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 14 akti, datë 21.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga të pandehurit Gj.C., E.J., E.J., B.D., P.(B.)P., dhe F.B., ndaj vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
I. Lënien në fuqi të vendimit nr. 49, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
1. Në aplikim të nenit 28/7 të K.Penal të pandehurit E.J. në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vite burgim.
2. Dënimin e të pandehurit B.D. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, në dëm të shtetasit A.B., mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 76-22-28/4 të K.Penal dhe në zbatim edhe të nenit 334/1 të K.Penal, me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit B.D. me një dënim të vetëm prej 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
II. Shpenzimet gjyqësore edhe për gjykimin në nivel apeli i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
III. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.