Ditën e djeshme Tirana ishte e mbushur me flamuj britanikë në nder të mbretit Karli III të Mbretërisë së Bashkuar, i cili festonte ditëlindjen si sovran.
Ajo që binte në sy mes urimeve dhe nderimeve në rrjetet sociale, ishte se politikanët shqiptarë e quanin mbretin “Charles”, ndërsa vetë ambasada britanike respektoi parimin themelor të drejtrshkrimit të gjuhës shqipe, ku fjalët siç shkruhen, lexohen, duke e quajtur “Karli III”.
“Kënaqësi të shohim flamurët britanikë sot në Tiranë për të shënuar Ditëlindjen e Mbretit Karli III”, shkruhej në postimin e Ambasadës Britanike në Tiranë.
Në një kohë kur gjuhës shqipe po i bëhen kaq shumë deformime, pikërisht ata që përfaqësojnë shtetin dhe vlerat e tij nuk e respektojnë siç duhet. Në fakt, nuk dihet nëse këtë “gabim” e kanë nga injoranca për gramatikën shqipe apo nga fodullëku dhe “dëshira për t’u dukur”, duke u përpjekur të fusin pak gjuhë të huaj në mundësinë e parë që u jepet.
Edhe në disa dokumente të mëparshme, si ai i ngushëllimit të presidentit Begaj për Mbretëreshën Elizabeta, bie në sy se rregullorja e gjuhës shqipe nuk respektohet.
Në kaosin e sotëm politik, shoqëror, ekonomik dhe kulturor nuk mund të mungonte edhe ai letrar. Ndërkohë që gjuha shqipe përballet me sfida të mëdha në periudhën digjitale, qeveria jonë mbylli edhe Akadaminë e Studimeve Albanologjike që shërbente ndër të tjera edhe si qendër kryesore për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare.