Polici dhe vëllai i tij autor të vrasjes së biznesmenit në Tiranë, si u zbulua krimi për konflikte pronësie

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit të ndërtimiy Eduard Reçi, ngjarje kjo e ndodhur më datë 13 Nëntor në Tiranë.

Një ditë më parë, Policia njoftoi arrestimin e oficerit të policisë të komisariatit nr.2 në kryeqytet, Shkëlqim Duka dhe vëllait të tij, si autor të vrasjes që ndodhi në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë. Mësohet se Shkëlqim Duka e ka ruajtur biznesmenin e ndërtimit për 6 ditë me radhë për ta eliminuar, nga data 8 Nëntor deri në 13 Nëntor.

Pak këqyrjes së pamjeve filmike, oficeri i policisë shihej i pozicionuar në një shkallë metalike të një hoteli ngjitur më lokalin e tij ku kishte pamje vizuale nga oborri i pallatit të Eduart Reçit.

Të shtunën, policia ushtroi kontrolle në ambientet e lokalit dhe banesën e 2 vëllezërve. Në magazinën e biznesit të tyre u gjetën sende dhe materiale që kanë ndihmuar hetuesit në dokumentimin e vrasjes.

Po ashtu, policia bën të ditur se, Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët shtetasi Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka.

Dy vëllezërit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.