“Po të mos isha sëmurë s’do më kapnit kurrë”/ Vdes Messina Denaro, bosi i fundit i Cosa Nostras

Pas disa ditësh në koma të pakthyeshme ka ndërruar jetë ditën e sotme bosi mafioz Matteo Messina Denaro. 62-vjeçari vuante nga një formë e rëndë e kancerit të zorrës së trashë, e cila u diagnostikua ndërsa ishte ende në kërkim.

Pas kapjes së tij në një klinikë ku po kurohej, Messina Denaro iu nënshtrua kimioterapisë. Ai i tha policisë se nëse nuk do të kishte qenë për sëmundjen e tij, s’do ta kishin kapur kurrë.

 Duke qenë i kërkuar për gati 30 vite, ai ishte i arratisuri më i gjatë i fshehur në Cosa Nostra.

Messina Denaro konsiderohet si një nga pasuesit e Bernardo Provenzanos, i cili u arrestua ndërsa ishte fshehur në fermë jashtë Corleone, Siçili, në prill 2006.

Denaro ishte dënuar për krime të shumta, përfshirë për rolin në planifikimin e vrasjeve të prokurorëve anti-mafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino më 1992. Këto krime e tronditën Italinë dhe nxitën një luftë ndaj mafias siciliane.

Ai ishte përgjegjës edhe për sulmet me bombë në Romë, Firencë dhe Milano më 1993, ku si pasojë vdiqën 10 njerëz, si dhe për organizimin e rrëmbimit dhe vrasjes së djaloshit 12-vjeçar Giuseppe Di Matteo, në përpjekje për ta bindur babanë e tij të mos dëshmonte në gjyq kundër mafias. Ai ishte mbajtur peng për dy vjet, pastaj ishte vrarë.

I biri i një mafiozi, Messina Denaro u lind në qytetin jugperëndimor të Sicilisë, Castelvetrano në vitin 1962. Njëlloj si babai i vet, ai iu bashkua mafias herët dhe në moshën 15-vjeçare mbante armë. Policia thotë se ai e kreu vrasjen e parë kur ishte vetëm 18 vjeç.

Denaro vetë kishte deklaruar më parë se kishte vrarë aq shumë njerëz mjaftueshëm sa për ta mbushur një varrezë. Ai u fsheh në vitin 1993, pasi shumë pjesëtarë të mafias filluan t’i ofronin policisë hollësi për rolin e tij në mafi, por hetuesit besojnë se ai rrallëherë u largua nga Sicilia.

Para se të vdiste ai takoi disa anëtarë të familjes dhe i dha mbiemrin vajzës së tij Lorenza Alagna, të cilën e kishte fshehur dhe nuk e kishte njohur kurrë.

Vajza, e cila e kishte takuar për herë të parë të atin në burg në prill, së bashku me një nga motrat e bosit mafioz dhe mbesën e saj Lorenza Guttadauro, kanë qenë pranë tij në momentet e fundit të jetës.