Po sikur Revolucioni Rus të mos kishte ndodhur kurrë?

Nga Simon Sebag Montefiore “New York Times”


Revolucioni i Tetorit, i organizuar nga Vladimir Lenini, është ende aktual sot në disa aspekte që do të dukeshin të paimagjinueshme kur u shemb komunizmi sovjetik. Marksist-leninizmi (edhe pse në formën e tij unike kapitalisto-maoiste) e drejton ende Kinën, fuqinë e madhe në rritje të vazhdueshme, edhe pse e njëjta ideologji po e rrënon Kubën dhe Venezuelën.
Ndërkohë, Koreja e Veriut, një monarki leniniste distopike e pajisur më armë bërthamore, e tmerron herë pas here botën me kërcënimet e saj. Edhe më i habitshëm është fakti që komunizmi po përjeton një ringjallje në Britaninë demokratike:Xheremi Korbin, një gati- leninist i maskuar që shfaqet me një mjekër gri dhe në kokë me një kasketë alla Lenin, është politikani më ekstremist që ka udhëhequr ndonjëherë një nga dy partitë kryesore të Britanisë.
Por po ringjallen edhe taktikat e Leninit. Ai ishte një gjeni i sofistikuar i fitoreve të pamëshirshëm me shumën zero, e shprehur në frazën e tij të famshme “Kto kovo?” që në rusisht do të thotë “Kush, kë?”, duke shtruar pyetjen se kush e kontrollon kë dhe, më
e rëndësishmja, kush vret kë.
Donald Trump, është disa mënyra personifikimi i një bolshevizmi të ri të së djathtës, ku qëllimet justifikojnë mjetet, dhe ku taktikat e pranueshme përfshijnë gënjeshtrat dhe shpifje, si dhe shfrytëzimin e atyre që Lenini i quajti ‘idiotë të dobishëm’.
Nuk është rastësi që strategu kryesor i fushatës së Trump, Steve Bannon, mburrej dikur duke thënë “Unë jam një leninist!”. Njëqind vjet më vonë, ndërsa ngjarjet e tij vazhdojnë të jehojnë dhe frymëzojnë, tetori i vitit 1917 duket epik, mitik, magjepsës. Efektet e tij ishin aq të mëdha, saqë duket e pamundur që të mos kishte ndodhur ashtu siç ndodhi.
E megjithatë nuk kishte asgjë të pashmangshme për atë revolucion. Ishte e vërtetë që në vitin 1917, monarkia e Romanovëve po shkatërrohej me shpejtësi, por Cari mund ta kishte shpëtuar veten dhe familjen nëse nuk do të humbte shanset e përsëritura për t’u reformuar.
Monarkitë e tjera absolute të Evropës – osmanët, habsburgët – u shembën sepse u mundën në Luftën e Parë Botërore. A do të kishin rënë edhe Romanovët, nëse do të kishin mbijetuar qoftë edhe për vetëm 1 vit më shumë, për të kremtuar fitoren e luftës në nëntorit e vitit 1918?
Në vitin 1913, policia sekrete e Carit e kishte shpërndarë dhe mposhtur opozitën. Pak para rënies së Carit, Lenini i tha gruas së tij se revolucioni “nuk do të ndodhë sa të jemi ne gjallë”.
Në fund, ishte një kryengritje popullore spontane, e çorganizuar dhe një krizë e besnikërisë së ushtrisë, ato që detyruan abdikimin e Nikollës II nga froni. Kur erdhi ai moment, Lenini ishte në Zyrih, Trocki në Nju Jork dhe Stalini në Siberi. Madje në fillim Lenini mendoi se ajo që po ndodhte ishte “një mashtrim”.
Ai ishte me fat që Gjermania e futi atë si një bacil (nëpërmjet të ashtuquajturit tren të blinduar) për ta nxjerrë Rusinë nga lufta. Kur mbërriti në Petrograd, Lenini, i ndihmuar nga radikalët e tjerë Trocki dhe Stalini, duhej të mposhtte bolshevikët e tjerë, që propozuan bashkëpunim me qeverinë e përkohshme, dhe t’i detyronte ata të binin dakord me planin e tij për një grusht shteti.
Qeveria duhej ta gjente dhe ta vriste, por nuk e bëri këtë. Dhe ai pati sukses. Edhe “sulmi” mbi Pallatin e Dimrit – i rindërtuar në një film propagandstik të vitit 1920 si triumf i popullit – nuk ishte aspak i rrufeshëm. Lenini u tërbua nga zemërimi sepse u deshën ditë të tëra për të
vënë nën kontroll ndërtesat kryesore të qeverisë.
Ndërkohë vetë pallati perandorak u pushtua duke u ngjitur përmes dritareve të hapura, fare i pambrojtur, me përjashtim të disa kadetëve adoleshentë. Kjo u pasua nga një aheng i gjatë, ku bolshevikët u dehën nga vera franceze që rrëmbyen nga bodrumet e ndërtesës. Tetori mund të kishte paralajmëruar një periudhë të përkohshme jetëshkurtër, si shumë revolucione të tjera të dështuara të asaj epoke. Çdo sulm i koordinuar nga ushtritë e bardha (monarkiste), pala tjetër në Luftën Civile Ruse, apo ndonjë ndërhyrje nga forcat perëndimore do t’i kishte dërmuar bolshevikët.
Gjithçka varej nga Lenini. Madje ai gati u përmbys në një grusht shteti të organizuar nga partnerët rebelë të koalicionit, por në fund pati sukses nga një kombinim i pasionit të tij ideologjik, pragmatizmit të pamëshirshëm, gjakderdhjes së shfrenuar dhe vullnetit për të vendosur një diktaturë.
Dhe ndonjëherë, ai pati thjesht fat:Më 30 gusht 1918, u qëllua teksa i drejtohej me një fjalim një turme punëtorësh në një fabrikë në Moskë. Mbijetoi për një fije. Nëse ndonjë nga këto ngjarje do të kishte sjellë dështimin e Leninit, kohët tona do të ishin rrënjësisht të ndryshme.
Sepse pa Leninin nuk do të kishte pasur as Hitler. Hitleri ia detyroi një pjesë të madhe të rritjes së mbështetjes elitave konservatore, të cilat i druheshin një revolucioni bolshevik në territorin gjerman dhe besonin se vetëm ai mund ta mposhtte marksizmin.
Dhe pjesa tjetër e programit të tij radikal, u justifikua gjithashtu nga kërcënimi i revolucionit leninist. Antisemitizmi i tij, plani i tij antisllav për Lebensraum-in (hapësirat jetike) dhe mbi të gjitha pushtimi i Bashkimit Sovjetik në vitin 1941 u mbështetën nga elitat dhe njerëzit për
shkak të frikës nga ajo që nazistët e quajtën “judeo-bolshevizëm”.
Pa Revolucionin Rus të vitit 1917, kishte shumë të ngjarë që Hitleri të kishte përfunduar duke pikturuar kartolina. Pa Leninin, pa Hitlerin, dhe shekulli XX-të bëhet i paimagjinueshëm. Në fakt, e paimagjinueshme bëhet vetë gjeografia e imagjinatës sonë. Lindja do të dukej po aq ndryshe sa edhe Perëndimi.
Mao, që mori sasi të mëdha ndihme nga sovjetikët në vitet 1940, nuk do ta kishte pushtuar dot Kinën, e cila mund të sundohej ende nga familja e nacionalistit Çang Kai-Shek.
Frymëzimi që nxiti revolucionarët të ngrenë krye në malet e Kubës dhe xhunglat e Vietnamit, nuk do të ishte shfaqur kurrë. As Kim Jong-un nuk do të ekzistonte si lider i Koresë së Veriut. Nuk do të kishte pasur një Luftë të Ftohtë. Ka shumë gjasa që ndryshimet e pushtetit të ishin të moderuara.
Revolucioni Rus mobilizoi një pasion popullor në të gjithë botën bazuar tek marksizëm- leninizmi, i ushqyer nga zell mesianik.
Pas tre feve abrahamike, ishte zelli më i madh i parë në historinë e njerëzimit. Sipas mbështetësve, ai lloj idealizmi i virtytshëm justifikonte çdo monstruozitet. Bolshevikët i admironin spastrimet gjatë mbretërimit të terrorit nga jakobini Robespier:”Një revolucion pa skuadra pushkatimi është i pakuptimtë” thoshte Lenini.
Bolshevikët krijuan revolucionarët e parë profesionistë, shtetin e parë policor, mobilizimin e parë masiv modern në emër të luftës së klasave ndaj kundër-revolucionit. Bolshevizmi ishte një mentalitet, një kulturë me një pikëpamje jo tolerante paranojave, të fiksuar pas ideologjisë marksiste.
Zelli i tyre justifikoi vrasjet masive të gjithë armiqve, realë dhe potencialë, jo vetëm nga Lenini apo Stalini, por edhe Mao, Pol Poti në Kamboxhia, Mengistu Haile Mariam në Etiopi.
Ai krijoi kampe pune skllevërsh, katastrofa ekonomike dhe dëme psikologjike të parrëfyeshme.
Sot këto ngjarje duket si të vjetra, tmerret janë mjegulluar, dhe historia është harruar.
Ndërkohë një shkëlqim magjepsës i fuqisë dhe idealizmit, po deh sërish votuesit e rinj të zhgënjyer disi nga kapitalizmit liberal. Dhe pastaj është Rusia, pasardhësja e Bashkimit Sovjetik.
Pushteti i Presidentit Vladimir Putin mbahet nga kolegët e tij ish-oficerë të KGB-së, trashëgimtarët e policisë sekrete të Leninit dhe Stalinit. Putin dhe regjimi i tij kanë adoptuar taktikat leniniste të “konspiratsia” dhe “dezinformatsiya”, të cilat kanë rezultuar të jenë ideale për teknologjitë e sotme.

Amerikanët mund ta kenë shpikur internetin, por ata e panë atë (në një mënyrë dekadente) si një mjet për të fituar para ose (në mënyrë naive) si një portë magjike drejt lirisë. Rusët, të edukuar nga cinizmi leninist, e shfrytëzuan atë për të minuar demokracinë amerikane.
Putin e vajtoi shembjen e Bashkimit Sovjetik duke e cilësuar atë si “katastrofën më të madhe gjeopolitike” të shekullit XX-të. Megjithatë ai e konsideron Leninin si një nxitës të kaosit midis dy epokave të madhështisë kombëtare – Romanovëve para Nikollës II (Pjetri i Madh
dhe Aleksandri III janë më të preferuar), dhe lavdisë së superfuqisë së Bashkimit Sovjetik nën sundimin e Stalinit.
Vladimir Putin e paraqet veten si Car – dhe si çdo Car, ai i frikësohet mbi të gjitha revolucionit. Kjo është arsyeja pse fitorja kundër Gjermanisë në vitin 1945, dhe jo Revolucioni Bolshevik i 1917, është miti themeltar i Rusisë Putiniste.
Prandaj ironia e dukshme, është se ndërsa Perëndimi ka folur dhe diskutuar gjatë mbi revolucionin, Rusia hiqet sikur ai nuk ka ndodhur kurrë . Mauzoleumi i mermertë i Leninit në Sheshin e Kuq, duhet të jehojë nga e ‘qeshura’ e tij, sepse kjo është e vetmja llogari politike
dinake që do të ishte vlerësuar nga Lenini.
Shënim:Simon Sebag Montefiore, është autori i librave bestseller “Romanovët”, “Stalin:Në oborrin e Carit të Kuq” etj. Ky shkrim është botuar për herë të parë në vitin 2017, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik.