Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi pohoi se SPAK-u po përdoret nga qeveria për të goditur opozitën shqiptare.
“Narkoregjimi i Edi Ramës dhe narkodrejtësia e Altin Dumanit kanë kaluar vijat e kuqe nëpërmjet platformës së tyre të qartë si drita e diellit për asgjësimin e opozitës, të pluralizmit politik dhe demokracisë”, deklaroi ai.
Sipas tij, SPAK është “koburja” kryesore që po përdoret kriminalisht nga Edi Rama kundër opozitës dhe zgjedhjeve të lira e konkurruese dhe që me urdhër direkt të tij dhe të mafies ndërkombëtare e ka shndërruar sot Shqipërinë ndër të paktat vende në botë me të burgosur politikë.
Ai tha se në 6 dhjetor do të nisin atë që Blushi e prezantoi si “stinë’ protestash para Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
“Është një strukturë, e cila thellësisht dhe qartësisht po vepron në mënyrë kriminale, në mënyrë banditeske, në mënyrë terroriste kundër opozitës, në funksion të agjendave personale dhe politike të Edi Ramës, çka na detyron ne dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriot për të filluar “stinën” e protestave para këtij institucioni që sot po shërben vetëm për t’i garantuar mbrojtje dhe imunitet politik krimeve të tmerrshme dhe korrupsionit të përbindshëm të Edi Ramës. Ndaj në 6 dhjetor, në ora 12:00 do të nisim stinën e protestave para SPAK-ut” deklaroi Bushi.
Mosbindja civile tha ai është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale dhe një zgjidhje politike.
“Vetëm me mosbindje civile dhe me protesta të fuqishme shqiptarët do t’i shkurtojnë ditët dhe do t’i japin fundin e merituar regjimit të korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës”, u shpreh ai.