Një skandal që lidhet me sigurinë ushqimore në vendin tonë është mësuar në vendin tonë. Kompania “AMG” ka importuar nga Brazili një sasi të madhe mish pule me salmonelë, ku një pjesë e saj është hedhur në treg.
Lajmi që qarkulloi dje në disa media, solli reagimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, e cila pranoi se një sasi mishi me salmonelë ishte konstatuar në Portin e Durrësit.
AKU megjithatë nuk bëri transparencë për kompaninë që e kishte importuar, sa ishte sasia e mishit të pulës me salmonelë, por edhe se sa ishte hedhur në treg. Policia doli me një njoftim zyrtar sot duke thënë se ka shpallur në kërkim Arben Hoxha, i cili është pronari i kompanisë ‘AMG Food’ e cila ka importuar nga Brazili mishin e pulës me salmonelë.
Ndërkohë nën hetim është i vëllai, Mondi Goxha pronar i firmës “diMal’ linjë e përpunimit dhe magazinimit të produkteve të mishit.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës”- thuhet në njoftimin e policisë.
Behet fjalë për mbi 18 tonë mish pule më salmonelë që u bllokua, ku një pjesë e madhe është hedhur në treg dhe është konsumuar nga qytetarët shqiptarë.
Për këtë arsye, policia ka nisur hetimet edhe për tre inspektorët e AKU, Gezim Hushi, Sada Lufta dhe Aldo Sinjari, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të mishit të pulës.
Mishi i pulës duhet të qëndronte i bllokuar deri në daljen e analizave, por ndërkohë ka ndodhur e kundërta pasi kompania ka hedhur një pjesë të produktit në shitje.
Por nuk përfundon këtu. Në vitin 2023, Frida Krifca, e cila mbante postin e Ministres së Bujqësisë, e përmendi si shembull të një kompanie që merret të përpunimit të mishit me standardet më të mira dhe që garanton siguri ushqimore maksimale në treg dhe për eksport.
Ajo nënvizonte se Mondi Goxha ka ndërtuar fabrikë moderne me standarde europiane në sajë të mbështetjes së programit IPARD.
“Në Kashar, Tiranë, Mondi ka ndërtuar një fabrikë moderne me standarde europiane në sajë të mbështetjes së programit IPARD për linjën e përpunimit dhe magazinimit të produkteve të mishit. Fabrika furnizon tregun vendas me 10 tonë produkte në ditë që procesohen sipas kushteve më optimale duke garantuar cilësi të lartë për konsumatorët”- shkruane Krifca, krahas videos ku prezantohej fabrika.
Ndërkohë Mondi Goxhaj shprehej se në vitin 2019 aplikoi pranë AZHBR-së, për mbështetje nga IPARD, për ndërtimin e stabilimentit sipas të gjitha kritereve që vendosura nga programi IPARD II.
“Mbështetja e Programit IPARD ka qënë shumë e rëndësishme për kompaninë tonë”, thoshte ai.
Kompania që ka marrë mbështetjen e IPARD ka bërë të kundërtën e asaj që premtonte duke rrezikuar jetën e qytetarëve shqiptarë, të cilët në padijeni kanë konsumuar mishin e pulës me salmonelë. Jo vetëm kaq. Edhe pse shpërndarja e fondeve të IPARD u bë te një grup njerëzish, këta të fundit qëllim kanë pasur të fitojnë sa më shumë, pa marrë parasysh rreziqet që sjellin për popullisinë, si në rastin në fjale.
I rëndë është fakti se nuk ka asnjë reagim nga qeveria në lidhje me këtë skandal. Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj nuk ka reaguar për faktin se si qytetarët shqiptarë po konsumojnë produkte të rrezikshme, sic ndodhi me mandarinat me pesticide që në vend të asgjësoheshin, u hodhën në treg dhe u konsumuan nga qytetarët shqiptarë.