Plani buxhetor i BE-së do t’i japë një “goditje shkatërruese” natyrës

Në planet e Brukselit për një strukturë të re buxhetore europiane mungon një detaj në formë fluture.

Komisioni Europian paraqiti të mërkurën e kaluar propozimin e tij të diskutueshëm për të bashkuar disa programe ekzistuese financimi në një fond të vetëm, të quajtur “Fondi i Konkurrueshmërisë”, si pjesë e një propozimi më të gjerë për buxhetin shumëvjeçar prej 1.816 trilionë eurosh. Ky propozim ka shkaktuar zemërim si te vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe te grupet e shoqërisë civile.

Sipas këtij plani të ri, objektivat për biodiversitetin nuk do të kenë fonde të dedikuara fare dhe do të duhet të garojnë me qëllimet e tjera mjedisore të BE-së, përfshirë ndryshimet klimatike, sigurinë e ujit, ekonominë qarkulluese dhe ndotjen.

Disa paralajmërojnë se, në mungesë të një ndarje të qartë të fondeve, paratë do të rrjedhin drejt projekteve industriale që përputhen me axhendën e konkurrueshmërisë së Komisionit, duke lënë pa financim programet mjedisore të cilat mund të mos jenë fitimprurëse, por janë po aq urgjente.

“Ekziston një rrezik real që biodiversiteti të shtyhet mënjanë në favor të prioriteteve industriale që mund të paraqiten si investime të gjelbra,” tha Ester Asin, drejtore e Zyrës së Politikave Evropiane të WWF.

Sipas vetë Komisionit, BE-ja përballet tashmë me një mungesë financimi për biodiversitetin prej rreth 37 miliardë eurosh në vit.

Në strukturën e re të propozuar të buxhetit, programi ekzistues i BE-së për mjedisin — i njohur si LIFE dhe me një vlerë prej 5.45 miliardë eurosh — do të bashkohet me fonde të tjera të dedikuara për dixhitalizimin dhe mbrojtjen, duke krijuar një fond konkurrueshmërie me vlerë 409 miliardë euro. Ndërkohë, fondet që më parë ishin ndarë posaçërisht për biodiversitetin, tani janë përfshirë në një objektiv më të gjerë “mjedis dhe klimë”.

Komisioni argumenton se totali i fondeve për prioritetet e gjelbra do të rritet, pasi 35% e buxhetit, rreth 700 miliardë euro, do të shkojë për arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

Sipas Komisionit, rreth 43% e Fondit të Konkurrueshmërisë do të dedikohet për objektiva klimatike dhe mjedisore, në përputhje me këtë objektiv të përgjithshëm.

“Mendoj se ky buxhet i trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet,” tha për POLITICO Komisionerja për Mjedisin, Jessika Roswall. “Kemi shumë legjislacione të mira mjedisore, por tani na duhen edhe rezultate konkrete, dhe ky buxhet i adreson pikërisht këto.”

Por jo të gjithë janë të bindur.

“Kjo është një goditje shkatërruese për natyrën e Evropës dhe për qytetarët e saj,” deklaroi Anouk Puymartin nga BirdLife Europe, duke paralajmëruar se biodiversiteti “po humbet vendin e vet në buxhetin e BE-së, pa fonde të dedikuara apo prioritizim të qartë.”

Qasja e integruar ndaj qëndrueshmërisë

Me strukturën e re buxhetore, Komisioni dëshiron që mbrojtja e mjedisit të shihet si një çështje horizontale dhe jo si një përparësi financimi më vete.

Në dokumentin e buxhetit, Komisioni shkruan se struktura e re do të “sigurojë që prioritetet horizontale të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë buxhetin e BE-së, përfshirë klimën dhe biodiversitetin, parimin ‘mos shkakto dëm të rëndësishëm’, politikat sociale dhe barazinë gjinore.”

Ky parim përcakton që politikat dhe fondet e BE-së nuk duhet të kenë ndikim negativ mbi gjashtë objektivat mjedisore të BE-së, përfshirë mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës.

“Ajo që ka rëndësi tani është se si do të integrohet qëndrueshmëria në qeverisjen dhe strukturën e buxhetit të BE-së,” tha Cornelius Müller, zyrtar politikash në Koalicionin për Bankim të Qëndrueshëm, një grup lobimi për financa të gjelbra. “BE-ja duhet t’i integrojë këto parime në të gjitha instrumentet financiare.”

Megjithatë, disa theksojnë se një pjesë e buxhetit duhet ruajtur ekskluzivisht për natyrën.

Ester Asin nga WWF kërkon “metodologji të forta dhe transparente për gjurmimin e fondeve” — pa të cilat, sipas saj, objektivi prej 35% rrezikon të bëhet “asgjë më shumë se një manovër për publicitet.”

Në strukturën aktuale të buxhetit, përveç objektivit prej 30% për klimën, 7.5% e shpenzimeve vjetore duhej të shkonin për objektiva të biodiversitetit në vitin 2024, duke u rritur në 10% në vitet 2026 dhe 2027. Ndërsa në propozimin e ri, nuk parashikohet më asnjë objektiv i tillë për biodiversitetin.

Gjithashtu, nuk ka fonde të veçuara për qëndrueshmërinë e ujit, një nga shqetësimet kryesore të Brukselit sipas prioriteteve të tij 2024–2029. Disa nga vendet më të prekura nga mungesa e ujit në Evropë, si Spanja dhe Portugalia, kanë kërkuar që të ndahen më shumë para për qëndrueshmërinë e ujit dhe menaxhimin e rreziqeve përkatëse./Politico.com