Plagosja e dyfishtë në Sarandë, dy vëllezër në kërkim, njëri me të kaluar kriminale në Greqi

Policia e Sarandës, me mbështetjen e FNSH ka nisur një operacion për lokalizimin dhe kapjen e dy vëllezërve të dyshuar për plagosjen e ndodhur ditën e sotme.

Të dyshuarit janë identifikuar si Ramadan Zoto, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe Erjon Canaj, 35 vjeç. Sipas burimeve hetimore, Ramadan Zoto/Canaj konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Ai ka pasur precedentë penalë në Greqi, ku është dënuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa mësohet se në një rast ka pasur edhe shkëmbim zjarri me policinë greke.

Në Shqipëri, ai po përballej me drejtësinë për një çështje të hapur në Gjykatën e Sarandës, ku akuzohej për “goditje për shkak të detyrës”.

Ndërkohë, vëllai i tij, Erjon Canaj, rezulton gjithashtu i përfshirë në ngjarje me natyrë kriminale. Në dhjetor 2022 ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj rojës së Spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë, ku u gjet në posedim të dy armëve zjarri. Megjithatë, për këtë rast ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata disa muaj më pas.

Operacioni i policisë vijon, ndërsa kontrollet janë përqendruar në disa zona të qytetit dhe në periferitë e tij. Hetimet janë në zhvillim dhe po drejtohen nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë.