Plagosi të riun te “Qyteti Studenti”, arrestohet 19-vjeçari, nën hetim edhe personi që i shiti thikën

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 19 vjeçarin Ajdin Ajvazi, i akuzuar për plagosjen 20 vjeçarit Aron Demiraj, ngjarje e regjistruar dje te “Qyteti Studenti”. Ndërkohë është proceduar në gjendje të lirë një 52 vjeçar, i cili dyshohet se i ka shitur thikën të riut, me të cilën kreu plagosjen.

Sherri që përfundoi me përdorimin e thikës ndodhi për motive banale mes dy të rinjve, për shkak të një bllokimi rruge.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. A., 19 vjeç, banues në Kamëz, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin E. T., 52 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi A. A., ditën e djeshme, në “Qytet Studenti”, ka goditur me mjet prerës shtetasin A. D., i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se autori i dyshuar e ka blerë mjetin prerës nga shtetasi E. T”, njoftoi policia.