Pjesë e grupit të Talo Çelës, ekstradohen sot nga Dubai tre të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare

Tre të shumëkërkuar nga autoritetet shqiptare do të ekstradohen sot nga Dubai drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për: Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika alias Elkier Cërriku alias Ado Cërriku, pjesë e grupit të Talo Çelës.

Ervis Daka, akuzohet se ka informuar personat që kanë tentuar të vrasin 28-vjeçarin Kei Piku për të gjitha lëvizjet e tij, si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e Arjan Spahiut. 3

28-vjeçari gjithashtu akuzohet se ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, të shumëkërkuarit Talo Çela.

Sa i përket Maksim Koçit, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e Klevis Kapllanit dhe të një tjetër personi. Gjithashtu sipas SPAK akuzohet se ka siguruar kushtet për vrasjen edhe të dy personave të tjerë.

Ado Xhika nga ana tjetër akuzohet se ka ndihmuar për t’u fshehur për dy vite me radhë Talo Çelën.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:

A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;

E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;

M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.