Fredi Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi janë kapur në përgjime duke blerë vota te votuesit në Himarë për zgjedhjet e 14 Majit. Të dy qëndrojnë në burg prej 12 Majit, kur u kapën në flagrancë.
Prokuroria e Posaçme i ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në SPAK, pjesë e të cilës janë edhe përgjimet e bisedave që janë zhvilluar mes Belerit, Kokaveshit dhe informatorit të policisë.
“Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023”, shprehet SPAK.
Media Ditari publikoi pjesën e parë të përgjimeve, ku Fredi Beleri i jepte informatorit 50 euro për person për 13 votues, ndërsa si shpërblim për të do të kishte 300 euro. Më poshtë, Media Ditari ju sjell pjesën e dytë të përgjimeve në një lokal, ku Pandeli Kokaveshi i jep lekët informatorit për 8 vota të tjera. Informatorin e ka dërguar Fredi Beleri te Kokaveshi, për të mbyllur pazarin e votave.
Janë 400 euro që merr informatori për t’i shpërndarë, ndërsa i kërkon Kokaveshit edhe pjesën e tij, por bashkëpunëtori i Belerit i thotë se do flasin sërish.
