Pezullimi i Ballukut, Rama për median austriake: Drejtësia bën edhe gabime, por duhet të ruajmë pavarësinë e saj

Në një intervistë për podcastin “East Side Stories” në median austriake Die Presse, kryeminisri Edi Rama ka folur në lidhje me drejtësinë, teksa pak javë më parë zv.kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Gjatë intervistës, kreu i qeverisë shqiptare tha se institucionet e drejtësisë mund të bëjnë gabime, por shtoi se në fund të ditës, “duhet të bëjmë gjithçka për të mos prekur pavarësinë që iu kanë dhënë”.

“Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që duhet të jenë në gjendje të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është aq këndshme sa të shkosh në operë. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gjithashtu gabime? Sigurisht që bëjnë. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre”, tha ai.

Kryeministri u shpreh gjithashtu për angazhimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar mbështetjen e madhe të Komisionit Europian.

“A do të jemi si Austria brenda dy vitesh? Jo, aspak. Anëtarësimi lidhet me parime dhe kritere shumë të qarta që duhet përmbushur në tërësi. Por në këtë fazë nuk shoh asnjë rrezik për probleme serioze. Nuk e bëjmë këtë ‘detyrë shtëpie’ për t’i kënaqur ata. E bëjmë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë më evropiane, më demokratike,” tha Rama.