Pesë gënjeshtra dhe një e vërtetë nga intervista e Vladimir Putinit me Tucker Carlson

Nga Sergey Goryashko “Politico.eu”

Sa gjëra mund të besojmë – nëse ka vërtet të tilla – nga ato që tha presidenti rus Vladimir Putin në intervistën e tij me gazetarin amerikan Tucker Carlson? Tek e fundit, Putin e ka të vështirë të kujtojë bisedën e tij të fundit me homologun e tij në Shtetet e Bashkuara, presidentin Joe Biden.

E megjithatë pretendon se mund të citojë me saktësi historinë ruse të 400 viteve më parë. Ne dëgjuam në atë intervistë narrativat historike të Putinit dhe justifikimet e tij për pushtimin, për të gjetur kontradikta, pasaktësi…dhe ndoshta edhe disa të vërteta.

1. Arsyetimi për pushtimin e Ukrainës

Çfarë tha Putin:”Nuk është se Amerika do të niste një sulm të befasishëm ndaj Rusisë. Unë nuk e kam thënë ndonjëherë këtë”.

Pse gënjeu:Sepse në fakt e ka thënë diçka të tillë. Vladimir Putin e justifikoi pushtimin e Ukrainës duke pretenduar ekzistencën e një kërcënim serioz nga SHBA-ja. Vetëm 3 ditë para fillimit të sulmit ai deklaroi:”Po ashtu, ne e dimë se kush është kundërshtari kryesor i SHBA-së dhe NATO-s:Rusia. Në dokumentet e NATO-s, vendi ynë cilësohet zyrtarisht dhe drejtpërdrejt si kërcënimi kryesor për sigurinë euroatlantike. Dhe Ukraina do të shërbejë si baza e avancuar për një sulm të tillë”.

2. Kush i prishi bisedimet për paqe?

Çfarë deklaroi Putin:”Presidenti i Ukrainës urdhëroi ndërprerjen e negociatave me Rusinë”.

Pse gënjeu sërish:Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ka nënshkruar një dekret që ndalon negociatat veçanërisht me Putinin, dhe jo me Rusinë si shtet. “Me këtë president rus është e pamundur të dialogohet. Ai nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe ndershmëria. Ne jemi gati për dialog me Rusinë, por me një president tjetër”- tha Zelenskyy.

Megjithatë Putin pretendon se ai është përfaqësuesi i vetëm legjitim i Rusisë. Dhe zyrtarët e tij kryesorë janë në të njëjtën linjë me të. “Sot pa Putinin, nuk ka Rusi!”- deklaroi së fundmi Vyacheslav Volodin, kreu i dhomës së ulët të parlamentit rus.

3. Pse u shemb Bashkimi Sovjetik?

Çfarë tha Putin:”Madje, Rusia ra vullnetarisht dakord dhe veproi në mënyrë pro-aktive për shembjen e Bashkimit Sovjetik…Në fund të fundit, kolapsi i Bashkimit Sovjetik u iniciua de fakto nga udhëheqja ruse”.

Pse gënjeu:Ish-presidenti rus Boris Yelstin, ishte një nga tre nënshkruesit e Marrëveshjes së Belovezhas në dhjetorin e vitit 1991, e cila shpalli zyrtarisht shpërbërjen e BRSS. Por kjo gjë ndodhi kryesisht për shkak të betejave të brendshme politike dhe ekonomike, kur disa republika sovjetike shpallën pavarësinë kundër dëshirës së Moskës.

4. Kush e ka propagandën më të fuqishme

Çfarë tha Putin në intervistë:”Në luftën propagandistike, është shumë e vështirë të mposhtësh Shtetet e Bashkuara, pasi SHBA-ja kontrollon të gjitha mediat e botës dhe shumë media evropiane. Dhe përfituesit fundorë të mediave më të mëdha evropiane janë institucionet financiare amerikane”.

Pse gënjeu:Kompanitë më të mëdha mediatike janë në pronësi të privatëve. Ato funksionojnë pa një kontroll të drejtpërdrejtë të qeverisë, në kontrast të plotë me peizazhin mediatik të kontrolluar nga shteti në Rusi. Televizioni shtetëror rus dhe agjencitë kryesore të lajmeve atje janë pronë e qeverisë, dhe Kremlini i kontrollon mediat e tjera ose i mbyll ato që nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë me të.

Sipas organizatës “Reporterët pa kufij”, vitin e kaluar autoritetet ruse burgosën 28 gazetarë. Midis tyre 2 shtetas amerikanë:korrespondenti i gazetës së njohur “Wall Street Journal” Evan Gershkovich, i akuzuar për spiunazh; dhe gazetarja ruso-amerikane Alsu Kurmasheva, që punon për Radion Evropa e Lirë, e akuzuar pse nuk ishte regjistruar si “agjente e huaj”, sikurse e kërkon ligji në Rusi.

5. Qëndrimi ndaj Evan Gershkovich

Çfarë tha Putin në intervistë:”Në rast se një person merr informacione sekrete, dhe e bën këtë përmes akteve konspirative, atëherë ky cilësohet spiunazh. Dhe ai po bënte pikërisht këtë gjë. Po merrte informacione të klasifikuara, konfidenciale dhe e bëri fshehurazi këtë gjë”.

Pse gënjeu prapë:Gazeta amerikane “Wall Street Journal” e ka dënuar me forcë arrestimin e Gershkovich në Yekaterinburg dhe hedhur poshtë akuzat kundër tij. Putin e akuzoi Gershkovich-in për spiunazh pa dhënë prova për pretendimet e tij, se FSB-ja e kapi gazetarin “në flagrancë”.

6. Fuqia e vërtetë e Rusisë

Çfarë tha presidenti rus:”Perëndimi ka më shumë frikë nga një Kinë e fortë, sesa nga një Rusi e fortë, sepse Rusia ka 150 milionë banorë, ndërsa Kina 1.5 miliardë banorë. Siç e tha dikur Bismarku, potencialet janë ato që kanë më shumë rëndësi”.

Pse ka (pothuajse) të drejtë:Pranimi nga Putin se Perëndimi i frikësohet një Kine të fortë, më shumë sesa një Rusie të fortë, pasqyron një vlerësim realist të dinamikës së fuqisë gjeopolitike. Por citimi i Otto von Bismarkut për të mbështetur argumentin e tij, është i diskutueshëm.

POLITICO bëri verifikimet përkatëse, dhe nuk mund të konfirmonte se Bismarku ka bërë realisht një deklaratë të tillë siç pretendon Putin. Gjithsesi Putini ka qejf të përdorë citate të rreme. Në dhjetorin e vitit të kaluar, ai citoi sërish Bismarkun të thoshte se “luftërat nuk fitohen nga gjeneralët, por nga mësuesit e shkollave dhe priftërinjtë e famullisë”, edhe pse sërish nuk rezulton që kancelari legjendar gjerman të ketë thënë ndonjëherë diçka të tillë.