Përshkallëzohet protesta për vdekjen e 59 të rinjve në Koçan, qytetarët dëmtojnë biznesin e pronarit të klubit të natës ku ndodhi tragjedia

Qytetarët e Koçanit protestuan sot në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Maqedoninë e Veriut ku 59 të rinj humbën jetën pasi një klub nate mori flakë. Nga kjo tragjedi mbetën të plagosur edhe mbi 150 persona të tjerë.

Protesta filloi paqësisht, por më pas disa qytetarë të mbledhur para komunës së Koçanit. filluan të hidhnin vezë dhe të bërtisnin “vrasës”. Më pas protestuesit u drejtuan për te kafeneja e të njëjtit pronar që e drejtonte edhe diskotekën Pulse, ku ndodhi tragjedia.

Disa hodhën gurë drejt kafenesë, duke thyer xhamin dhe më pas kanë hyrë brenda dhe kanë përmbysur tavolinat e karriget.

Kujtojmë se kryetari i Komunës së Koçanit dha dorëheqje më herët dhe kërkoi që institucionet kompetente ta hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke shtuar se është plotësisht në dispozicion të institucioneve.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie. Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë ndaluar nga policia.