Seancat plenare në Kuvendin e Shqipërisë janë zhvilluar gjithmonë të enjten, por ky rregull u thye ditën e sotme.
Kuvendi njoftoi dje se seanca plenare nuk do të zhvillohej të enjten, por të mërkurën, dhe arsyeja është e pazakontë.
Mësohet se kjo zhvendosje e ditës së seancës plenare është bërë për t’i dhënë mundësi disa deputetëve që të kenë më shumë kohë për të shkuar drejt Gjermanisë dhe për të ndjekur Kombëtaren shqiptare në ndeshjen kundër Italisë.
Gjithashtu edhe javën e ardhshme nuk do të ketë seancë plenare, sepse është “java e gjelbërt”, ku deputetët takohen me qytetarët që përfaqësojnë në Kuvend.
Por, pavarësisht se “java e gjelbërt” është për takime me qytetarët, janë shumë pak deputetë që e zbatojnë këtë detyrë, pasi pjesa më e madhe e tyre e shfrytëzojnë për të bërë pushime, pa u shqetësuar aspak për problemet e atyre që i kanë dhënë votat.