Përplasjet në listat e hapura/ Rama ‘nuhat’ rrezikun në PS, urdhër kandidatëve: Jo zyra jashtë zonës tuaj elektorale

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit beteja për të hyrë në Kuvend nuk bëhet vetëm mes kundërshtarëve politikë, por edhe brenda partisë.

Kandidatët, të cilët janë në listë të hapur e ndjejnë më shumë presionin e garës pasi një votë më tepër të çon në Kuvendin e Shqipërisë. Por, kjo garë e ethshme ka krijuar shqetësimet e para.

Pikërisht gara brenda llojit ka sikletosur kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën. Mediat raportojnë se Rama u ka treguar kufijtë kandidateve të tij pasi ka ndjerë se lufta në terren mes kandidatëve të listës së hapur është reflektuar edhe brenda strukturave të partisë.

Për ta frenuar konfrontimin e ashpër mes socialistësh, Rama ka urdhëruar që asnjë kandidat, qoftë edhe deputet aktual, nuk duhet të përdorë strukturat e PS të një zonë tjetër për të mbledhur vota në favorin personal.

“Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra te veta jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Deputeti është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën. Struktura është në funksion të qëllimit të përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitje e çdo deputeti”, ka porositur Rama.

Rama po ashtu u ka treguar “vijën e kuqe” kandidatëve, që janë në lista të mbyllura.

Sipas tij, ata duhet të kërkojnë vota vetëm për numrin 5 dhe jo për kolegët e tyre kandidatë, që ndodhen në betejë të hapur.

“Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, po vetëm për numrin 5. Të gjithëve duhet t‘u thonë tek vota preferenciale jeni të lirë! Po ashtu deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë, e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën”, theksoi kryesocialisti.

Me këtë logjikë dhe porosi të Ramës, i bie që një kandidat i Partisë Socialiste që është caktuar në njësinë 4 nuk mund të kërkojë ndihmën e strukturave të partisë për të mbështetur një emër tjetër në zonën 5.