Përplasja me armë në Kallmet/ Gjykata dënon me 6.6 vite burg ish-kreun e Njësisë Administrative, 20 vite për Altin Markun

Gjykata e Lezhës ka dhënë dënimet për personat e përshirë në një konflikt me armë zjarri në prill të vitit 2022, ku i përfshirë ishte edhe ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit, Besnik Simoni. Ky i fundit u dënua me 6 vite e 6 muaj burg.

Ndërkohë Altin Marku u dënua me 20 vite burg për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Marku pas një konflikti për motive të dobëta me Simonin e qëlloi këtë të fundit me armë zjarri, por ish zyrtari u kundërpërgjigj dhe si pasojë mbetën të dy të plagosur.

Megjithatë Besnik Simoni ka mohuar që të ketë qëlluar ndaj Markut teksa arma me të cilën qëlloi, nuk u arrit të gjendet.

Prokurori i çështjes Françesk Ganaj kishte kërkuar dënimin maksimal me 40 vite burg në total për dy të pandehurit, por trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Aurel Arapi, Aldi Kareco dhe Migena Laska ju dha një masë dënimi më të butë me 26 vite e 6 muaj burg në total.