Dhjetëra banorë të Durrësit kanë dalë në protestë këtë të enjte, pas përmbytjeve të ditëve të fundit.
Me thirrjet “Durrësi, skenë e krimit”, “shpallni gjendjen e emergjencës”, qytetarët e nisën protestën e tyre nga rrethrrotullimi pranë burgut për të vijuar marshimin drejt bashkisë së Durrësit.
Ata janë shprehur të pakënaqur për mënyrën se si janë menaxhuar përmbytjet, duke nënvizuar se kjo situatë u krijua pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet dhe jo fatkeqësi natyrore.
Qarku i Durrësit ishte më i prekuri si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa situata paraqitet më e rëndë në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen.
Në Durrës u regjistrua edhe viktima e parë nga përmbytjet. Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, u gjet i pajetë në një kanal në zonën e ish-repartit ushtarak. Humbja e jetës ka ardhur si pasojë e rrjedhës së fuqishme të ujit të shkaktuar nga reshjet intensive.