Përmbyten disa zona në Durrës si pasojë e reshjeve të shiut, uji depërton në disa banesa te ‘Ura e Dajlanit’ dhe ish-Këneta

Reshjet e shiut kanë shkaktuar problematike në qytetin e Durrësit duke vështirësua qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata po monitorohet dhe po trajtohen nga strukturat përkatëse. Një eskavator i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit ka mbërritur në Kanalin e Ujërave të Larta për ndërhyrje dhe pastrimin e kanaleve.

Po ashtu raportohet se ka rritje të nivelit të ujit në rrugë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve si dhe prani të ujit në disa zona të qytetit si dhe në Shkozet, Ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagja “17 Nëntori”.

Uji ka depërtuar gjithashtu në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe Ish-Këneta. Niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik.

Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth. Strukturat vendore janë angazhuar për të riparuar pasojat e krijuara dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës.