Partia Demokratike ka përkujtuar sot 35 vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit kuksian Havzi Nela, i cili u var nga diktatura në sheshin qendror të qytetit. Shkrimtari Besnik Mustafaj e vlerësoi figurën e Nelës, duke e cilësuar më shumë se poet. Sipas tij, Havzi Nela është një simbol i rëndësishëm dhe duhet të shihet si i tillë nga brezi i ri.
“Havzi Nela duhet të jetë një simbol. Nuk ndërtohet e ardhmja pa simbole. Havzi Nela i plotëson të gjitha për të qënë një simbol i madh për Shqipërinë, për shqiptarët dhe sidomos për rininë. Sepse ne sot rrezikojmë të shikojmë brezin e ri të mbuluar me harresë nga e shkuara e vetë. Kur them se Havzi Nela i plotëson të gjitha për të qënë simbol, kam parasysh se ai ishte mësues dhe e bën atë një figurë të rëndësishme. Të ecësh zvarrë si krimb nuk ia fal vetes, shkruante ai dhe ishte një mësues që përpiqej ti mësonte brezat e rinj që të ngrihen në këmbë dhe më e rëndësishmja është që të ishin të dinjitetshëm. Dhe këtu fillon goditja e parë e një sistemi dhune”, tha Mustafaj.
