Franc Çopja dhe Ervis Çela, të cilët drejtonin grupin kriminal të trafikur ndërkombëtar të drogës kanë qarkulluar miliona euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Sipas dosjes që SPAK disponon, në bisedat mes anëtarëve flitet për sasi të mëdha eurosh cash që transportoheshin në Shqipëri. Në një prej këtyre episodeve, të zbardhura nga mediat, mes Çelës dhe Çopjas zhvillohet një bisedë për fshehjen e tufave me euro në Shqipëri.
Gjatë kësaj bisede, Çela i thoshte shokut të tij se të groposte lekët poshtë rrënjëve të ullinjve, por Franc Çopja e këshillonte t’i investonte në lingota ari pasi nën tokë paratë do të shkatërrohen.
Sipas SPAK, Franc Çopja dhe Ervis Çela, operonin në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e kokainës drejt porteve evropiane dhe investonoin fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Pjesë nga biseda e Ervis Çelës me Franc Çopja:
Ervis Çela: Kam 200 ullinj në mal duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.
Franc Çopja: Aahaha…kthej flori. Mos fut lek n tokë. Më dëgjo mu…
Ervis Çela: S’ka flori…Duhet me grabit naj bank..Duhet me porosit nga Afrika…
Franc Çopja: E di që ska..Do flas un ktu me njanin mos na i sajo ky…Po mblidhi avash avash…Por mos fut lek n tok… Se t prishen..
Ervis Çela: E di që prishen lekët.
Në datë 13 Dhjetor 2020, në orën 21:07, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Ardjan Çela me të cilin dyshohet se bisedojnë në lidhje me fshehjen e parave cash dhe sasinë e parave të akumuluara prej tyre.
Ervis Çela: Marove tu bo gropa?
Ardjan Çela: Tani po mbaroj duke i përgatit..filloj dhe shiu tani…
Ervis Çela: Do ja kalosh lales?
Ardjan Çela: Po të mbaroj fuçin dhe të shkoj ti mbyll…Ahahaha...
Ervis Çela: Ahahaha…i bone 10?
Ardjan Çela: Lala ka më shumë…Po
Ervis Çela: Të nis dhe 4/5M ktë javë që vjen…Ahahaha…
Ardjan Çela: Flasim më vonë…