Të tjera përgjime janë zbardhur nga bisedat që kryebashkiaku Erion Veliaj bënte me familjarët e tij nga qelia e paraburgimit teksa i udhëzonte se si të silleshin me mediat dhe jo vetëm.
CNA ka zbardhur një prej bisedave që Veliaj ka bërë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet po ashtu nga SPAK për tre vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Më datë 18 shkurt është zbardhur biseda e Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës pasi kjo e fundit është kontaktuar nga Konsullata Amerikane ku i kërkohet që më datë 19 shkurt të paraqitet në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Por Xoxa thotë se për shkaqe shëndetësorë nuk mund të shkojë dhe e lënë për një ditë tjetër.
“18.02.2025
Në orën 16:00, shtetasja Ajola Xoxa kontaktohet nga Konsullata Amerikane, nga ku i kërkohet të paraqitet në datë 19.02.2025 pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ajola Xoxa e informon se për shkaqe shëndetësore e ka të pamundur dhe e lënë për të biseduar për një datë tjetër”, thuhet në përgjime.
Ndërkohë më datë 19 shkurt Veliaj bisedon në lidhje me thirrjen e Ajola Xoxës në Ambasadën Amerikane ku i thotë se nuk ka pse të shkojë t’u japë llogari palëve të një shteti tjetër.
Ndër të tjera Veliaj përmend emrin e Aleksit dhe i thotë se kur të vijë ai do të rregullohen gjërat dhe s’ka nevojë të japë llogari.
“19.02.2025
Në orën 18:15, Erion Veliaj bisedon në lidhje me thirrjen e Ajolës në Ambasadën Amerikane, ku i thotë se nuk ka pse të shkojë dhe se është administratë tjetër. I thotë se kur të vijë Aleksi do të rregullohen gjërat dhe s’ke nevojë që t’u japësh llogari palëve që nuk janë vendi yt”, thuhet në përgjime.