Duket sikur ka kaluar një jetë e tërë që kur Joe Biden ishte në Zyrën Ovale, aq të mëdha kanë qenë trazirat dhe ndryshimet që shpërthyen pasi ai u kthye në Delaware.
Por një person në Washington nuk resht së u fiksuari pas presidentit të 46-të — paraardhësi dhe pasardhësi i tij.
Donald Trump rrallë shfaqet në publik pa u ankuar për politikat e Bidenit ose pa hedhur ndonjë fyerje për aftësinë e tij mendore apo fizike.
Fiksimi i tij tregon një antipati dhe armiqësi të thellë, si personale ashtu edhe politike, ndaj një paraardhësi që është larguar nga skena. Ai mbështetet edhe te dështimet e Bidenit, veçanërisht për valën e migrantëve në kufirin jugor dhe inflacionin e lartë që preku konsumatorët.
Megjithatë, dobësimi i pozitës politike të vetë Trumpit ngre pyetje mbi jetëgjatësinë e strategjisë së tij “vetëm Biden, gjithë kohës”. Trump e ka mbyllur garën politike; ai është tashmë në pushtet. Dhe votuesit ende nuk janë të kënaqur.
“Të trashëguam një rrëmujë të plotë nga administrata Biden,” tha ai të hënën, teksa hapi një forum mbi paketën e tij të ndihmës prej 12 miliardë dollarësh për fermerët. Në fakt, lufta e tarifave të Trumpit me Kinën e krijoi nevojën për këtë ndihmë — por ai fajësoi Bidenin për problemet e bujqësisë.
Sipas Trumpit, Biden është fajtor për gjithçka.
Kriza në industrinë e automjeteve? Faji i Bidenit, tha javën e kaluar, duke shfuqizuar standardet e tij mbi eficiencën e karburantit, të cilat ishin krijuar për të luftuar ndryshimet klimatike — një krizë që, sipas Trumpit, presidenti aktual e injoron.
Edhe lufta në Ukrainë, të cilën Trump premtoi se do ta përfundonte brenda 24 orësh, është sipas tij faji i Bidenit. Rusia nuk do të kishte pushtuar kurrë në vitin 2022 po të ishte ai në detyrë, tha ai në “60 Minutes”: “Ishte lufta e Joe Biden, jo e imja.”
Presidenti po përballet me kritika për krizën e përballueshmërisë, por Trump këmbëngul se Biden e shkaktoi. “Trashëgova inflacionin më të keq në histori,” tha ai javën e kaluar — një pretendim i pavërtetë. Gjithë kabineti e përmendi Bidenin mbi 30 herë, duke treguar se stafit të Trumpit i dihet një mënyrë e sigurt për ta kënaqur shefin: fajëso paraardhësin.
Pas plagosjes së dy anëtarëve të Gardës Kombëtare muajin e kaluar në Uashington, nga një afgan që kishte punuar me CIA-n gjatë luftës më të gjatë të SHBA-së, Trump ia faturoi gjithçka tërheqjes kaotike nga Afganistani, të orkestruar nga “një president katastrofik”.
Megjithëse i dyshuari hyri në SHBA nën Biden, ai mori azil gjatë mandatit të dytë të Trumpit — një fakt që Trump e anashkaloi.
Edhe reagimi ndaj faljes së ish-presidentit të Hondurasit, të dënuar për trafik droge, u shoqërua me të njëjtën retorikë: “Një kurth i Bidenit,” tha Trump.
Madje para Falënderimeve, ai e çoi fiksimin ndaj Bidenit drejt vetë-ironie: “Ai përdori një autopen vitin e kaluar për faljen e gjelit.”
Një fiksim personal — dhe një krahasim i pashmangshëm
Pse nuk mund ta lërë Trump Bidenin pas?
Një arsye është se atij i duhet gjithmonë një “armik”. Dominimi i tij politik bazohet në sulme të vazhdueshme. Gjithashtu ai është i bindur se Biden nxiti akuzat penale ndaj tij — diçka që Biden e mohoi, duke thënë se drejtësia veproi e pavarur.
Trump është gjithashtu i fiksuar me moshën dhe gjendjen mendore të Bidenit.
Në një event, ai kujtoi një lojë golfi me kampionin 90-vjeçar Gary Player: “Ai bëri 70 goditje. Mendoni se Biden mund ta bëjë këtë? Nuk besoj, nuk mund të ngrejë as shkopin,” tha ai.
Në moshën 79-vjeçare, Trump është krenar dhe i përkëdhelur nga ideja se është në formë më të mirë se Biden. Por ndërsa pa Biden të plakej në detyrë, mos vallë një ndjenjë frike nisi të depërtojë edhe te ai? Herë pas here, ai lë të kuptohet se e mendon vdekshmërinë e vet, pavarësisht pretendimeve për “shëndet pothuajse supernjerëzor”.
Një gjë për të cilën Trump nuk mund ta fajësojë Bidenin
Një tjetër arsye e mundshme për fiksimin e Trumpit ndaj Bidenit është se presidenca e tij tashmë po përballet me probleme.
Tarifat rrisin koston për konsumatorët — një realitet që Trump nuk e pranon. Dhe hezitimi i tij për të dërguar armë në Ukrainë në nivelin që bënte Biden ka forcuar pozicionin e Rusisë.
Tashmë votuesit kërkojnë përgjigje nga Trump, jo nga Biden. Njerëzit po jetojnë pasojat e politikave të tij.
Megjithatë, retorika e Trumpit përmban një grimë të vërtete: sikur mandati i Bidenit të ishte jashtëzakonisht i suksesshëm, Trump nuk do të ishte sot president. Dështimet e Bidenit në emigracion dhe inflacion i hapën Trumpit rrugën për një mandat të dytë. Vendimi i Bidenit për të kandiduar sërish, pavarësisht moshës së tij, çoi në një debat katastrofik dhe në dorëheqjen e tij nga gara — një zinxhir ngjarjesh që përfundoi me rizgjedhjen e Trumpit.
Natyrisht, lojërat e fajit nuk janë të reja. Obama fajësoi paraardhësin e tij Bush për krizën financiare. Edhe Biden fajësoi Trumpin për tërheqjen nga Afganistani.
Dhe cikli vazhdon.
Zëvendëspresidenti JD Vance, duke folur për zgjedhjet afatmesme, fajësoi demokratët për krizën e përballueshmërisë: “Ideja që është faji ynë dhe jo i demokratëve është një narrativë krejtësisht e pavërtetë,” tha ai.
Por problemi është se votuesit — të cilët, ndryshe nga Trump, jetojnë në të tashmen — nuk po e besojnë këtë narrativë.
Sipas një sondazhi të Fox News, 62% e amerikanëve fajësojnë Trumpin për gjendjen ekonomike aktuale, ndërsa 32% fajësojnë Bidenin.
Aprovimi i Trumpit është 39% sipas mesatares së sondazheve të CNN.
Sondazhet janë ndoshta e vetmja gjë që Trump nuk ia ka atribuar ende Bidenit. Megjithëse ndoshta do ta bënte, po t’i jepej mundësia.