Përfshihet nga flakët azili privat në Tiranë, lëndohen disa të moshuar

Një zjarr ka rënë gjatë natës në një azil privat në Tiranë ndërsa disa të moshuar kanë pësuar lëndime të lehta. Ngjarja ndodhi në azilin që ndodhet në rrugën “Ali Visha” në kryeqytet ku paraprakisht mësohet se shkak për zjarrin është bërë një batanije me korrent, me të cilën po ngrohej një i moshuar.

Për pasojë mori flakë dysheku i të moshuarit, dhe zjarri u përhap me shpejtësi, por fatmirësisht u izolua para se të shkaktonte dëme të mëdha në ndërtesë apo në zona të tjera të azilit.

Raportohet se tre të moshuar pësuan lëndime të lehta, por janë jashtë rrezikut për jetën. Ata u trajtuan menjëherë dhe po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor. Policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.