Zyra e OSBE-së ka rekomanduar që para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, në Shqipëri të dërgojë 326 vëzhgues.
300 prej tyre do të jenë vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procedurat e ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë votimin, numërimin e votave dhe përmbledhjen e rezultateve, ndërsa 26 vëzhgues afatgjatë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së për të ndjekur procesin zgjedhor në mbarë vendin.
Në raport thuhet se duhet ndjekur me kujdes përdorimi i resurseve shtetërore në zgjedhje, përfshirja e administratës shtetërore, fushata, mbulimi mediatik dhe financimi i fushatës.
“Shumë prej palëve të interesuara nënvizuan rëndësinë e vëzhgimit të periudhës para ditës së zgjedhjeve, veçanërisht sa i përket përdorimit të resurseve shtetërore dhe ndikimit të mundshëm në një fushë loje të barabartë. Ata identifikuan aspekte që kërkojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë administratën zgjedhore, përdorimin e teknologjive të reja, fushatën dhe mbulimin mediatik, financimin e fushatës, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve.
Bazuar në këto konsiderata, ODIHR rekomandon dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EOM) për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Përveç një ekipi të specializuar ekspertësh, ODIHR rekomandon dërgimin e 26 vëzhguesve afatgjatë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së për të ndjekur procesin zgjedhor në mbarë vendin, si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar procedurat e ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë votimin, numërimin e votave dhe përmbledhjen e rezultateve. Sipas metodologjisë standarde të ODIHR, misioni do të përfshijë gjithashtu një element të monitorimit të mediave”, thuhet në raport.