Ka vite që Shqipëria nuk drejtohet më nga ligjet, por nga urdhrat e një njeriu të vetëm, i cili i komunikon në rrjete sociale apo në ndonjë konferencë me gazetarët, pa vendime qeverie apo udhëzime të botuara në Fletoren Zyrtare.
Mjafton një postim në rrjetet sociale të Edi Ramës, sapo zgjohet nga gjumi apo para se të flejë, dhe gjithë administrata e institucionet vihen në dispozicion të tij.
Urdhri i fundit është ai për të mos lejuar shitjen e asnjë produkti pa faturë nga tregtarët ambulantë, sidomos për qumështin dhe produktet e bulmetit. Ai tha se do të konfiskohet çdo shishe qumështi që nuk shitet me faturë.
Mjaftoi fjala e tij që inspektorët e Tatimeve të zbrisnin në terren pas një periudhe letargjie për shkak të fushatës elektorale, pasi siç e dimë të gjithë, përpara zgjedhjeve asnjë nuk preket, derisa të shkojë të votojë për partinë në pushtet.
Por, një video e publikuar nga Saranda Web, nxori në pah jo vetëm bindjen me sy mbyllur ndaj urdhrave të kryeministrit, por edhe shkeljen e ligjit dhe paaftësinë e këtyre inspektorëve të Tatimeve.
Në videon më poshtë, shihet se si inspektori i Tatimeve, Muçi”, i kërkon shitëses faturën për rigonin që ajo e kishte mbledhur në mal. Pra, shitësja t’i marrë faturën malit e t’ja japë Muçit.
Nuk mbaron këtu, pasi ajo tregon vetëm injorancën e këtij inspektori, ndërkohë që ai vijon shkeljen e ligjit, pasi kërcënon shitësen se do t’i sekuestrojë mallin të nesërmen, nëse e gjen sërish pa faturë.
Por, inspektori Muçi nuk e di që nuk ka asnjë ligj që mund t’ia sekuestrojë mallin pa faturë shitëses. E vetmja gjë që mund të bëjë Muçi është t’i vendosë gjobë, siç e thotë neni 121 i Ligjit 9920 “Për Procedurat Tatimore”.
Sipas ish-drejtoreshës së Tatimeve, Briseida Shehaj, “ky nen u ndryshua pikërisht sepse sekuestrimi i mallrave (sidomos atyre me afat të shkurtër skadence) nuk kishte asnjë vlerë, pasi drejtoria e caktuar ku depozitoheshin mallrat e sekuestruara nuk organizonte ankandet në kohë. Si pasojë, mallrat thjesht kalbeshin dhe shteti përballej me kosto shtesë për pastrimin e rezervave shtetërore”.
Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore
(shtuar pika 3 me ligjin nr. 10415, datë 7.4.2011; shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 164, datë 4.12.2014; shtuar me ligjin nr. 99/2015, datë 23.9.2015; shtuar pikat 4 dhe 5 me ligjin nr. 99/2015, datë 23.9.2015; shfuqizuar pika 4 me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 33, datë 8.6.2016; ndryshuar pikat 1 dhe 3, dhe shfuqizuar pika 2, me ligjin nr. 112/2016 datë 3.11.2016, ndryshuar me ligjin 83/2019, datë 18.12.2019; ndryshuar me ligjin nr. 83/2022, datë 24.11.2022)
- Tatimpaguesit që mbajnë në ruajtje, përdorin ose transportojnë mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, penalizohen si më poshtë:
a) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 25 000 lekësh;
b) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi dhe për TVSH-në dënohen me gjobë prej 50 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar;
c) tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ dënohen me gjobë prej 750 000 lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar;
ç) personi, i cili ushtron veprimtari ekonomike të paregjistruar, sipas përcaktimeve të nenit 41 të këtij ligji, dënohet me gjobë prej 50 000 lekësh.
- Përcaktimi i vlerës së TVSH-së së munguar bëhet nga administrata tatimore në momentin e konstatimit të shkeljes duke vlerësuar mallin e gjetur pa faturë me çmimin e tregut.
- Për shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, në rast përsëritjeje, administrata tatimore, përveç penaliteteve të përcaktuara në këtë nen, i kallëzon penalisht tatimpaguesin në përputhje me përcaktimet e neneve 116 dhe 131 të këtij ligji.

Madje, edhe Administrata Tatimore në njoftimin e saj thotë se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.
“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.
Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë”.
Sigurisht që Muçi nuk ka se si ta dijë këtë ligj, pasi Muçi dhe “Muçot” e tjerë në Tatime zbatojnë vetëm urdhrat e kryeministrit dhe ecin bazuar në fjalët e tij dhe jo në bazë të ligjit.
Ende pa u formuar qeveria e re e mandatit të katërt, qytetarët po e shohin se me çfarë do të kenë të bëjnë në 4 vitet e ardhshme, teksa “Muçot” e çdo lloj institucioni do të vijojnë të shkelin ligjin dhe të marrin për bazë çdo fjalë të njeriut që drejton i vetëm këtë vend.