Për herë të parë në histori, Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar.
Talat Xhaferi, që mban postin e kryetarit të Kuvendit, do të marrë drejtimin e Qeverisë Teknike, e cila do të jetë në funksion deri në zgjedhjet e 8 Majit.
Qeveria aktuale e kryeministrit Dimitar Kovaçeski do të japë dorëheqjen të enjten e 25 Janarit, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga partitë politike pak kohë më parë.
“E gjithë Qeveria do të jetë në dorëheqje, të enjten në orën 10:00. Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën (28 janar) të votohet Qeveria teknike”, ka deklaruar Kovaçevski.
Në vend të Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit do të jetë Jovan Mitreski, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).
Kundër qeverisë teknike dhe Talat Xhaferit si kryeministër ka dalë VMRO DPMNE. Kryetari Hristijan Mickovski deklaroi se deputetët e partisë së tij nuk do të votojnë qeverinë teknike, pasi e akuzojnë Talat Xhaferin për shkelje të shumta ligjore gjatë punës si kryetar i Kuvendit.