Përplasja për kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka sjellë edhe reagimet e SHBA dhe Bashkimit Europian.
Delegacioni i BE në vendin tonë, në një reagim është shprehur se nuk është punë e tyre të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të partisë, teksa shton se mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
“Delegacioni i BE-së beson në rëndësinë vendimtare të opozitës për funksionimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti. Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, ambasada amerikane vijon të jetë kundër Sali Berishës pasi thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim për “non gratat”, ndërsa shton se nuk është roli i saj që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla”, deklaron ambasada amerikane.