Pentagoni shqyrton masa ndaj aleatëve të NATO-s, përfshirë pezullimin e Spanjës

Një email i brendshëm i Pentagonit ka paraqitur disa opsione për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndëshkuar aleatët e NATO-s që, sipas Uashingtonit, nuk mbështetën operacionet amerikane në luftën me Iranin. Mes masave të propozuara përfshihet edhe pezullimi i Spanjës nga aleanca, si dhe rishikimi i qëndrimit amerikan ndaj pretendimit të Britanisë për Ishujt Falkland, bëri të ditur një zyrtar amerikan për Reuters.

Sipas burimit, i cili foli në kushte anonimiteti, dokumenti shpreh pakënaqësi ndaj disa aleatëve që kanë refuzuar ose hezituar t’i japin SHBA-së akses në baza, vendosje trupash dhe të drejtë fluturimi (ABO) gjatë luftës me Iranin. Në email theksohet se këto janë kërkesa minimale për një aleancë si NATO.

Opsionet e përmendura janë diskutuar në nivele të larta të Pentagonit dhe përfshijnë edhe mundësinë e përjashtimit të vendeve “problematike” nga pozicione të rëndësishme brenda NATO-s.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër aleatët për mosangazhimin e tyre, veçanërisht për refuzimin për të dërguar flotat detare në ngushticën e Hormuzit, e cila u mbyll për transportin global pas nisjes së luftës ajrore më 28 shkurt. Ai ka lënë të hapur edhe mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga NATO.

Megjithatë, sipas zyrtarit, emaili nuk propozon një hap të tillë dhe as mbylljen e bazave amerikane në Evropë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson, deklaroi se administrata Trump synon të sigurojë që aleatët të kontribuojnë realisht në aleancë. “Pavarësisht gjithçkaje që SHBA ka bërë për aleatët e saj, ata nuk ishin aty për ne,” tha ai.

Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ka ngritur pikëpyetje serioze për të ardhmen e NATO-s dhe ka shtuar shqetësimet se SHBA mund të mos i vijë në ndihmë aleatëve evropianë në rast sulmi.

Spanja është përmendur si një nga vendet që ka refuzuar përdorimin e bazave dhe hapësirës ajrore për sulme ndaj Iranit. SHBA ka dy baza të rëndësishme ushtarake në Spanjë: bazën detare Rota dhe bazën ajrore Morón.

Sipas dokumentit, pezullimi i Spanjës do të kishte ndikim të kufizuar ushtarak, por efekt të madh simbolik.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez reagoi duke theksuar se vendi i tij vepron mbi dokumente zyrtare dhe jo mbi email-e të brendshme.

Memoja përfshin gjithashtu mundësinë e rishikimit të mbështetjes amerikane për territoret e diskutueshme evropiane, si Ishujt Falkland, që administrohen nga Britania por pretendohen nga Argjentina.

Britania dhe Argjentina zhvilluan një luftë të shkurtër në vitin 1982 për këto ishuj, ku humbën jetën qindra ushtarë nga të dyja palët.

Ndërkohë, Trump ka kritikuar edhe kryeministrin britanik Keir Starmer për refuzimin për t’iu bashkuar luftës kundër Iranit, duke e cilësuar atë si të dobët.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se lufta me Iranin ka nxjerrë në pah dobësitë në aleancë, duke theksuar se “nuk mund të ketë një aleancë të fortë nëse vendet nuk janë të gatshme të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në moment nevoje”.