“Pensioni s’del as për ilaçe”, minatorët protestojnë përpara Kuvendit, Rama i rrit rrogat qeverisë dhe administratës (VENDIMI)

Dhjetëra minatorë janë mbledhur sot përpara Kuvendit pak para nisjes së seancës plenare, për të kërkuar miratimin e statusit të minatorit, një premtim i bërë prej vitesh, por që deri më tani as që është marrë në konsideratë.

Ata deklarojnë se pensioni që marrin nuk u del as për të blerë ilaçet, të cilin e cilësojnë si qesharak.

“Minatorët duan status duan kushte ekonomike. Ju na keni lënë në mjerim dhe tani po vuajmë. Secili nga ne ka 2-3 palë ilaçe me vete. Pensioni qesharak që na keni dhënë nuk na del as për ilaçe”, tha njëri prej tyre.

Por teksa minatorët protestojnë për pagesën qesharake që marrin pas shumë viteve në punë të vështirë, qeveria ka marrë vendimin për të rritur pagat e punonjësve të administratës publike, por edhe të disa zyrtarëve të qeverisë.

Zëvendësministrat, funksionarët e kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike do t’u rriten pagat prej 1 Korrikut, me synimin që paga mesatare të shkojë në 900 euro.

Ndërkohë që minatorët kërkojnë statusin dhe naftëtarët kërkojnë pagat e prapambetura, qeveria merr vendime të tilla, duke i injoruar totalisht siç ka bërë për vite me radhë. Në këtë vend, të varfërit vijojnë të zhyten deri në skamje, ndërsa të pasurit shtojnë milionat në llogaritë bankare. E gjitha kjo, falë vendimeve të qeverisë!

Vendimi i plotë i qeverisë:

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në shkronjën “b”, të pikës 1, të kreut I, dhe në pikën 25, të lidhjes nr.3, fjalët “… Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike …” dhe “… Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike …” zëvendësohen përkatësisht me “… Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike …” dhe “… Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike …”.
b) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, të kreut I, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

i. Emërtesa “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve”;
ii. Emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar”;
iii. Pas emërtesës “Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura” shtohet “Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve”.

c) Në pikën 1, të kreut IV, fjalët “… Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve …” zëvendësohen me “… Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve …”.
ç) Lidhja nr.9/6 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

d) Në lidhjen nr.12, pas emërtesës “Përgjegjës të degëve të tjera vendore të
thesarit” shtohet emërtesa “Drejtor drejtorie në drejtoritë rajonale të
arsimit parauniversitar.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi:

a) për përcaktimet e shkronjave “a”, “b” “c” dhe “d”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillojnë nga data e emërimit/transferimit të nëpunësve në detyrë dhe për vitin 2024 përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për këtë vit;
b) për përcaktimin e shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillojnë nga data 1 korrik 2024 dhe për vitin 2024 përballohen nga fondet e politikës për rritjen e pagave të përcaktuara në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.