Pengoi hetimet për Veliajn/ Klotilda Bushka del pas 4 orësh nga SPAK, kyç gojën para gazetarëve: S’kam koment

Deputetja socialiste, Klotilda Bushka ka dalë pas 4 orësh nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme teksa shoqërohej nga avokati i saj, Henrik Ligori. Bushka, e vënë nën hetim nga SPAK pasi ka penguar drejtësinë të hetojë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa ka kyçur gojën para gazetarëve.

Nuk kam asnjë koment” – tha Bushka, duke mos dhënë asnjë detaj se përse u pyet për 4 orë nga prokurorët e posaçëm.

Të njëjtës linjë i qëndroi edhe avokati: i cili tha: “Nuk na komunikuan. Jo ska akuzë. Nuk ka akuzë dhe nuk ka komente”.

Klotilda  Bushka dyshohet se ka intimiduar dëshmitarët në hetimet për Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Sipas hetimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe vartës të tij në bashki, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u angazhuan me veprime aktive në një fushatë për frikësimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.

“Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e SPAK.