Pedagogu i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Lush Susaj ka folur lidhur me aksionin e SPAK dhe hetimet ndaj stafit, të cilët kanë abuzuar me tendera.
Susaj tha se politika dhe kryeministri duhet të qendrojnë larg universiteteve, teksa theksi se paraqitja e rektorit të Universitetit sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ishte një gabim.
“Sa herë vjen Rama aty situata në shkollë veç përkeqësohet. Gjëja më e mirë është me na lënë kryeministri rehat dhe politika rehat. Edhe sot më ka ardh keq e kam shumë, kam 15 vjet që e njoh rektorin, po të më kishte thënë dje që do shkoj do i lutesha që mos shkonte. Mua nuk më ka pëlqyer dhe jam ndjerë keq. Në asnjë mënyrë nuk duhet të kishte shkuar…nuk duhet të shkonte në asnjë organizatë partie”, tha pedagogu.
Susaj u shpreh se për vite me radhë ka denoncuar problematika në universitet, por për këtë është përballur me hakmarrje dhe përjashtim nga mundësitë e punës.
“Unë kam 25 vjet që kam folur dhe s’më dhanë as një karrige të ulem. Kush jam unë t’i shkoj rektorit t’i them më jep një karrige? Ai e di, ja kam kërkuar që 5 vite më parë bashkë me kolegun e zyrës,” tha ai, duke lënë të kuptohet se penalizimi i tij ka ardhur si pasojë e denoncimeve të mëparshme për shkeljet brenda institucionit.