PD tërhiqet nga bojkoti, Boçi: Do të jemi në Komisionet e Reformës Territoriale dhe asaj Zgjedhore

Partia Demokratike është tërhequr nga bojkoti i Komisioneve të Posaçme për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore, pasi nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme.

Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, u shpreh pas mbledhjes së grupit se mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës Territoriale është nul, pasi u thirr për shkak të ultimatumit të vendosur nga Taulant Balla.

“Mbledhja e sotme është nul se u thirr në ultimatum nga Balla, që është e papranueshme. Mbledhja e komisionit thirret në bashkëpunim me bashkëkryetarët, unë si bashkëkryetar nuk jam njoftuar. Qëndrimi i PD është që ne do vijomë të jemi pjesë e komisionit të reformës territoriale dhe do vazhdojmë me axhendën e komisionit. Unë jam i detyruar, duke respektuar etikën, ta njoftoj bashkëkryetarin për gatishmërinë e grupit të PD dhe anëtarësisë së komisionit për të bashkëvijuar këtë reformë, që është shumë e rëndësishme që në fund të miratohet me konsensus”, tha Boçi.

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta, ku një pjesë e deputetëve ja dalë kundër bojkotit të Komisioneve për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.

Burime për mediat bëjnë me dije se kundër bojkotit kanë dalë deputetët: Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Bledi Himçi, Enno Bozdo, Luan Baçi dhe Arjan Ndoja., të cilët janë shprehur se pjesëmarrja në Komisione është e nevojshme.