PD merr në mbrojtje Arben Ahmetajn, si e hoqën Berisha dhe Këlliçi nga foto e të korruptuarve

Partia Socialiste hapi fushatën ditën e sotme, në një ceremoni ku nuk munguan këngët dhe vallet nga çdo krahinë, teksa skena gjigande kishte 12 yje, që simbolizonin 12 yjet në flamurin e Bashkimit Europian.

Por, fotoja nga sipër e skenës me 12 yje të flamurit u përdor nga dikush duke i vendosur çdo ylli foton e një zyrtari socialist të burgosur ose nën hetim nga SPAK. Mes fotove, ishte edhe ajo e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Këtë foto, e publikoi në rrjetet sociale edhe drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi. Ndërkohë, të njëjtën foto e merr edhe kryedemokrati Sali Berisha dhe e poston, por me një ndryshim. Në vend të Arben Ahmetajt vendos Safet Bajrin.

Pas postimit të Berishës, edhe Belind Këlliçi foton e parë me Ahmetajn e zëvendëson me foton e publikuar nga Sali Berisha.

Pra, Partia Demokratike ka vendosur të mos e akuzojë më Arben Ahmetajn për korrupsion, pasi ky i fundit ka dalë në disa intervista duke akuzuar kryeministrin Rama dhe ministren Belinda Balluku. Madje, PD ka arritur deri aty s ata marrë në mbrojtje atë që deri pak kohë më parë e kishte në qendër të akuzave.

Epo, politika e tillë është, sidomos në Shqipëri!