PD kërkon Komision Hetimor për AKSHI-n, Bardhi: Për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Partia Demokratike ka vendosur të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor për për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjithashtu ky Komision do të vlerësojë edhe sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, në një postim në rrjetet sociale, thotë se kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.

“Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Sot Grupi Parlamentar ndër të tjera vendosi që të kërkojë ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik. Si një e drejtë kushtetuese e opozitës, apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie”, shkruan Bardhi.