Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin do të bashkojnë votat me Partinë Socialiste për të miratuar ligjin që rrit rrogat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke i bërë ata nga më të paguarit në vend.
Në fjalën e tij për gazetarët përpara fillimit të seancës plenare në Kuvend, Basha u shpreh se do ta votojnë ligjin, pasi PD e tij s’do të bëhet pjesë e lojrave “hidh gurin e fsheh dorën”.
“Edhe në seancë grupi ynë paralajmëtar do të paraqesë argumente. Ne nuk do të bëhemi pjesë e lojës hidh gurin e fsheh dorën. Ky është një nga ato projektligje që thellë në zemër asnjë qeveri e korruptuar nuk do të donte që ta miratonte. Një gjyqësor me rroga të larta, është më i pavarur nga qeveria”, tha Basha.
Projektligji i hartuar Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë. Ky projektligj u konstestua nga disa anëtarë të Komisionit si “i palogjikshëm dhe i pabazuar”.
Deputeti Fatmir Xhafa e kontestoi projektligjin përmes një serie pyetjesh drejtuar përfaqësuesve të ministrisë së Drejtësisë, ndërsa theksoi se me këto ndryshime, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merrnin dyfishin e pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë.