Zbërthimi i bisedave në aplikacionin “Matrix” nga Europol pritet të hedhë dritë mbi ngjarjet kriminale, që janë kryer në vendin tonë.
Në këtë platformë është zbuluar se janë përdorur 33 gjuhë, mes të cilave dhe gjuha shqipe.
Për përdorimin e këtij aplikacioni ka folur edhe Nuredin Dumani. Ai ka rrëfyer në SPAK të gjitha krimet dhe porositësit që jepnin shuma marramendëse për eliminimin e armiqve.
“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 Euro”, thuhet në komunikime.
Mediat shkruajnë se Ardian Sufaj, një 40-vjecar i arrestuar në Shqipëri për llogari të Italisë, si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, në një nga bisedat e tij të zbardhura nga Anti-Mafia italiane shprehej:
“Mund ta jap në dorë … nuk mund ta hapin kurrë … kurrë …duhen 75 vjet për t’i hapur këto dhjetë … Izraelitët janë …100 % të koduar … ata quhen Matrix … kjo është një Matricë …”.
Në një operacion të Anti-Mafias italiane në nëntor 2023 u lëshuan 19 urdhër arreste për trafik ndërkombëtar droge dhe po këtu u zbulua sërish përdorimi i “Matrix”.
“Korrierët përdornin celularë të enkriptuar me origjinë shqiptare, të pajisur me sistemin e mesazheve të çastit “Matrix” dhe përdorej për kujdesin për logjistikën dhe lëvizjen e sasive të mëdha të drogës”, theksonte komunikata.
Nga ky operacion u sekuestruan mbi 400 kilogramë kokainë, heroinë, hashash dhe krahas arrestimeve në Itali, u ndaluan dhe tre shqiptarë si Jurgen Korriku, Ardian Korriku dhe Etleva Adami.
Ekspertët besojnë se hetimi i plotë i mesazheve dhe komunikimeve të kryera në “Matrix” mund të ndihmojnë autoritetet të zbardhin fatin Vis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej dy vitesh.