Pas urdhrit të Ramës për shkarkimin e Veliajt, këshilltarët e majtë në Bashki mblidhen sot në selinë e PS-së

Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të mblidhen sot në selinë rozë pas urdhrit që kryeministri Edi Rama dha gjatë Asamblesë së PS për të shkarkuar Erion Veliajn si kryebashkiak i Tiranës.

Ata janë thirrur në një mbledhje në selinë e PS-së ku do të diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt, i cili ndodhet në burg që prej muajt shkurt të këtij viti.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste gjatë javës së kaluar, Rama u dha urdhër këshilltarëve të majtë që të nisnin procedurat për shkarkimin e Veliajt, në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Tiranës.

Ai e cilësoi gjendjen si emergjencë pasi sipas tij, “prej 7 muajsh Tirana nuk ka as një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, as një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia të lidhur në detyrë”.

Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të shkarkimit të kryebashkiakut të zgjedhur, pavarësisht se dhe kjo duhet parë nga parlamenti i ri, pasi kuadri ligjor lë për të dëshiruar në rastin kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë jo se ai nuk do të paraqitet, por se është i penguar nga paraburgosja”, shtoi Rama.

Ndërkohë nga Veliaj nuk ka ende një reagim lidhur me vendimin e Ramës, i cili po ashtu gjatë Asamblesë njoftoi se ish-ministrja Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e PS në zgjedhjet për Bashkinë Tiranë.

“Ogerta Manastirliu është forca e qetë e Tiranës, e punonjëses dhe drejtueses së dikurshme të punëve sociale në bashkinë e Tiranë dhe gruas e nënës që ka rritur vajzat e saj të shkëlqyera në këtë qytet, e qytetares dhe menaxheres shembullore që nevojitet në këtë situatë për të kuruar plagët e pahapura të qeverisjes së çalë të këtij viti tejet të vështirë për kryeqytetin dhe për të çuar punën tonë transformuese për Tiranën 2030 kryeqytet i Europës së Ballkanit”, tha Rama.

Vlen të përmendet se nëse Këshilli Bashkiak vendos për shkarkimin e Veliajt, dhe nëse vendimi merr firmën e kryeministrit Rama, Veliaj mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Sipas ligjit, nëse Veliaj e çon çështjen e tij në Kushtetuese, procesi i zgjedhjeve të reja pezullohet.

Erion Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK në shkurt të 2025 ndërsa vetëm pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme dërgoi dosjen e tij në GJKKO.

Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.