Pas pezullimit, Balluku mbërrin në GJKKO për verifikimin e masës së sigurisë

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka mbërritur mëngjesin e kësaj të shtune në GJKKO ku do t’i komunikohen zyrtarisht masat që janë vendosur ndaj saj.

Në hyrja të Gjykatës së Posaçme ajo nuk u ndal në një komunikim për mediat, pavarësisht interesit të gazetarëve. Më herët në Gjykatë mbërriti edhe Pamela Qirko, avokatja e Ballukut e njëkohësisht motra e saj.

Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Një ditë më parë ashtu siç e paralajmëroi kryeministri Edi Rama, Qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisioneren e Zgjerimit të Bashkimit Europian sulmoi SPAK dhe GJKKO duke thënë se nuk ka ndodhur në asnjë vend që një prokuror dhe një gjyqtar të bën bashkë dhe të pezullojnë një anëtar qeverie.

Madje Rama e cilësoi si një rast unikal në Europë dhe pretendoi se ishte një ndërhyrje brutale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.