Antiterrori ka rritur gatishmërinë në institucionet diplomatike në vendin tonë si dhe pranë MEK, një ditë pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane në vendin tonë për sulme të mundshme nga Irani.
Burime për mediat bëjnë me dije se në fokus të këtyre masave janë kryesisht ambasadat, godina e muxhahedinëve në Manëz, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend, të konsideruara si pika me ndjeshmëri të lartë.
Në kuadër të këtij plani, pritet një shtim i prezencës së forcave policore në terren, ndërsa pjesë e grupit të punës është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë së objekteve diplomatike.
Një ditë më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se Shqipëria mund të jetë objektiv i sulmeve të grupeve të lidhura me Iranin teksa u kërkoi qytetarëve amerikanë që të shtojnë vigjilencën.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.