Pas një viti, nis marrja e mostrave nga 2100 ton mbetje toksike në Porto Romano

Pas një viti që 102 kontejnerët me mbetje toksike gjenden në Porto Romano, ekspertë të specializuar do të marrin mostra e këtyre mbetjeve dhe analizat pritet që të dërgohen në një laborator Itali, me qëllim përcaktimin e përbërjes dhe nivelit të mundshëm të toksicitetit.

Raportohet se i gjithë procesi po zhvillohet me kujdes maksimal, pasi për shkak të qëndrimit të gjatë prej gati një viti, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, duke e bërë marrjen e kampionëve më të ndërlikuar.

Në total bëhet fjalë për 2100 ton mbetje, që gjenden në 102 kontejnerët që kishin si detinacion Tajlandën. Por ato u kthyen në 28 tetor të vitit të kaluar, pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Pas Portit të Durrësit, kontejnerët u dislokuan në një mjedis privat në zonën e Porto Romanos ku ruheshin nga forcat e rendit dhe të survejuara me kamera sigurie.

Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka kërkuar transparencë të plotë për këtë proces dhe për çdo të dhënë që lidhet me përmbajtjen e kontejnerëve.