Pas nënshkrimit të peticionit nga qindra qytetarë, pezullohen përkohësisht punimet në burgun e Spaçit

Pas nënshkrimit të një peticioni nga 749 qytetarë, janë pezulluar ndërhyrjet në burgun e Spaçit. Peticioni iu drejtua Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë këtë pezullim si një hap pozitiv drejt reflektimit institucional, por theksojnë se është vetëm i përkohshëm.

Kujtojmë se 35 organizata dhe 734 qytetarë firmosën një peticion më herët, të cilin ia dërguan Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku kërkohet që të ndërpriten menjëherë punimet në burgun e Spaçit. Projektin e cilësojnë të “pakoordinuar dhe amatoresk”.

Dokumenti:

Në vijim të kërkesës për informacion, datë 11.06.2025, administruar në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) me Nr. 1115 Prot., datë 12.06.2025, në lidhje me ndërhyrjet në objektet e ish “Burgut të Spaçit”. Ju informojmë se:

Bazuar në Ligjin Nr. 27/2018 “Per Trashëgiminë Kulturore dhe Muzete”, VKM nr. 1125/2020 “Per miratimin e rregullave të projektimit, zbatimit të punimeve të nderhyrjeve ruajtese e mbrojtëse në pasurite kulturore materiale, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të tyre”, si dhe në vijim të inspektimit në terren me qëllim verifikimin e punimeve në datë 02.06.2025, punimet janë pezulluar deri në një moment të dytë, me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës dhe kryerjen e procedurave të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. 

Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin,

DREJTOR PËRGJITHSHËM Joli MITROJORGJI